Ndërhyrja konservuese risjell ngjyrat dhe detajet në afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës

14 Gusht, 2025 - 10:00 am

Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese në Kishën e “Shën Kollit” në Voskopojë, duke bërë të mundur rikuperimin e ngjyrave, detajeve dhe qartësisë, të afreskeve, që kishin humbur nën shtresat e shkrimeve mbi to.

“Një dëshmi e fuqishme se sa shumë mund të rikthehet bukuria e trashëgimisë sonë kur kujdesemi për të”, shkroi DRTK Korçë në rrjetet sociale, duke shpërndarë edhe imazhin e rikuperuar të një shenjtori.

Kisha e “Shën Kollit”, e ndërtuar në vitin 1721, është një nga perlat e Voskopojës. Ajo gjendet vetëm 20 minuta larg Korçës. Afresket origjinale të David Selenicës dhe vëllezërve Zografi, së bashku me arkitekturën postbizantine dhe dekorin unik të hajatit, e bëjnë këtë kishë një ndalesë të domosdoshme për çdo udhëtar që kërkon historinë dhe artin e vërtetë.

Kisha e “Shën Kollit” në Voskopojë përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Ajo ndodhet në qEndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal postbizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18-të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme