Në 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit, hapet në Prishtinë ekspozita “Një komb, një ABC”

23 Nëntor, 2023 - 2:04 pm

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë hapur ekspozitën “Një komb, një ABC” në përvjetorin e 115-të të Kongresit të Manastirit apo Kongresit të Alfabetit, raporton Anadolu.

Përfaqësues nga të dyja agjencitë shtetërore të arkivave dhe qytetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë, e cila sjell për opinionin dokumente dhe fotografi të rëndësishme të Kongresit të Alfabetit.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, tha se ekspozita nëpërmjet punës së punonjësve profesionalë të arkivave shfaqë materiale të përzgjedhura si foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit që nxjerrin në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit shqip.

“Kongresi i Manastirit përveç që vuri themelet e gjuhës së shkruar shqipe për gjithë hapësirën shqiptare, një e arritur kulmore pas përpjekjesh me vite për ngritjen e vetëdijes kombëtare duke shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë jo vetëm për gjuhën, kulturën apo shkencën, por edhe për përparimin e gjithëmbarshëm të kombit tonë”, theksoi Bislimi.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, tha se me këtë rast festohet formësimi i identitetit kombëtar. Kongresi i Manastirit më 22 nëntor, sipas Bidos, ishte kulmimi i rilindjes shqiptare.

“Shqiptar nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha bashkësitë fetare që formësojnë kombin tonë u bashkuan për të mos u përçarë kombi shqiptar”, theksoi Bido.

Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e udhëhequr nga Mid’hat Fashëri mes datave 14 nëntor – 22 nëntor në vitin 1908, që kishte për qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Këto data përbëjnë ditë përkujtimi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh (Elifba), pa llogaritur nënvariantet. / AA / KultPlus.com

Të ngjajshme