займ на карту онлайн потребительский кредит

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, ekspozitë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun

2 Dhjetor, 2019 - 7:10 pm

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë në Zagreb, të enjten, për nder të 28 Nëntorit, u hap ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” – bashkëorganizim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Kroacisë (linku: http://www.nsk.hr/otvorena-izlozba-ovdje-sam-pronasao-slob…/).

Ekspozita përmban botime monografike, portrete, si dhe piktura që lidhen me botën e vizatimit e të ilustrimit, të përqendruara në temat për të bëmat dhe historitë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ekspozoi para publikut të Kroacisë librin më të vjetër të Koleksioneve të Rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhuruar nga koleksionistja e njohur e librave mbi Skënderbeun – Patricia Nugge nga Londra: Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, Princit të Epirotëve (Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis) të Marin Barletit; botuar në Augsburg, 1533 (MDXXXIII).

Libri tjetër me rëndësi të veçantë që u ekspozua në Zagreb – gjithashtu – pjesë e Koleksioneve të Rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës – ishte po i Marin Barletit: Jeta dhe të bëmat e shkëlqyera të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit, princ i epirotëve, i cili për burrërinë kreshnike të tij u quajt prej turqve Skënderbe, d.m.th. Aleksandër i Madh; shkruar në 13 libra (kapituj) nga Marin Barleti, prift shkodran; rishtypur përsëri me lejen e eprorëve; botuar në Zagreb nga shtypi Gjon Pagëzuesi, shtypshkronjë e shquar e Mbretërisë së Kroacisë, në vitin 1743.

Në ceremoninë hapjes së ekspozitës, drejtorja e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, Prof. dr. Tatijana Petrić, përshëndeti këtë bashkëpunim të të dyja bibliotekave, duke e cilësuar një “bashkim që e solli ndikimi i figurës së Skënderbeut në trashëgiminë kulturore”. Znj. Petrić u shpreh për Skënderbeun se është një simbol i rezistencës në të gjithë Evropën dhe se me kalimin e kohës, figura e tij – si pjesë historisë evropiane përmes veprave artistike, veprave letrare, të dhënave historike – është kthyer në një legjendë. Kësisoj, historia e tij ka arritur në Kroaci dhe në Bibliotekën e Zagrebit.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, shprehu falënderimin për gatishmërinë që Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë ta mbështetë veprimtarinë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ai theksoi se mbi bazë dëshmish historiko-kulturore, gjeografike, afritë e kulturës shqipe me kulturën kroate, janë të hershme e të fuqishme, duke theksuar se referencat për kohën e Skënderbeut dhe epokën pas tij, japin spektre të identitetit shqiptar, por edhe të raportit me kulturat e tjera, siç është ajo, në mënyrë të veçantë, me kulturën kroate. Kjo ekspozitë tregon për një ndërlidhje të këtyre dy kulturave në një sfond më të gjerë kulturor.

Ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” – e hapur për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 17 janar 2018 – në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, është prezantuar edhe në disa qytete të Kosovës, si dhe në Ulqin.

Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, do të jetë e hapur deri më 11 dhjetor 2019.

Të ngjajshme