Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap këndi për Shyqri Nimanin, prezantohen fotografi, artikuj, përkthime e katalogë

4 Korrik, 2023 - 3:30 pm

Piktori, dizajneri grafik, profesori dhe njëkohesisht ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Shyqri Nimani, u përkujtua sot nga ky institucion, udhëheqjen e të cilit dikur e bëri ai.

Dhjetë vite veprimtari të Nimanit në krye të Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke nisur që nga fjalimet, përkthimet e deri tek dizajnet e krijuara me plot zell, u përmblodhën në një kënd të  mureve të kësaj Galerie.

Dy tavolinat e bardha u mbushën me  fotografitë e profesorit të ndjerë, me artikuj të dedikuar për të dhe  me katalogë në të cilat përmblidhet puna dhjetë vjeçare e tij.

Përgjatë jetës së tij 83 vjeçare, Nimani kishte arritur të zhvillojë një karrierë të fuqishme me profesione nga më te ndryshmet. Njihet si mjeshtër i arteve, muzikant, dizajner grafik, profesor, dekan, përkthyes, drejtor, themelues, e madje edhe njohës i mirë historisë e trashëgimisë kulturore.

Shyqri Nimanin as dhjetëra profesione nuk e lodhën dot, madje as mosha e shtyrë nuk e stopoi në kryerjen e punëve me profesionalizmin më të madh e përsosmërinë më të lartë.

Nuk janë mbushur akoma dy javë prej se Niamani nuk është fizikisht në mesin tonë, prapë mund të thuhet se ai është gjithkund dhe kudo. Janë puna dhe veprimtaria e tij, ato që flasin për të, edhe nëse goja e tij nuk nxjerr më fjalë. Janë ato krijime artistike në tokën e Kosovës që kanë mbetur si dëshmi për vlerat poseduese të tij.

Veprën dhe kontributin e Shyqri Nimanit e vlerësoi lartë edhe Drejtoresha e tanishme e Galerisë, Alisa Gojani Berisha e cila tha se ky kënd nuk është i vetmi që do të zhvillohet për Nimanin, për shkak se janë mirëmenduar edhe organizime më madhore karshi tij.

“Ky është vetëm një kënd i vogël. Ne synojmë që në një të ardhme të realizojmë një ngjarje më madhore me përfshirje të bisedave me familjarë, dokumentarë, ekspozita  të gjera ose diçka edhe më ndryshe”, u shpreh Gojani Berisha për KultPlus.

Gojani Berisha tha se qëllimi kryesor i hapjes së këtij këndi është përkujtimi dhe respekti ndaj të ndjerit, Shyqri Nimanit, dhe se me anë të kësaj hapësire ekspozuese kanë dashur të shpalosin edhe një anë të kontributit të tij, të nxjerrë nga arkivat e galerisë.

“Ne kemi dashur të shpalosim këtë kënd si shenjë respekti për punën, kontributin dhe veprën e profesorit të ndjerë. Profesor Shyqriu ka qenë udhëheqës i këtij institucioni për një dekadë të plotë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm,  gjë që dokumentohet edhe me anë te arkivave të Galerisë”, shtoi ajo.

Kjo hapësirë ekspozuese dedikuar Shyqri Nimanit do të qëndrojë e hapur për një muaj, ku njerëzit do të kenë mundësi të shohin për nga afër dokumente të nxjerra nga arkiva me anë të cilave shpaloset një anë tjetër e tij.

“Materialet te cilat i kemi prezantuar si pjesë të arkivit i kemi të dublifikuara për njerëz që duan ti shfletojnë, sidomos për njerëzit që janë adhurues të arkivit”,  përfundoi Gojani Berisha.

Kujtojmë që Nimani përpos që ka qenë Drejtor i  GKK për dhjetë vite radhazi, ai njihet edhe si shkruesi i “Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, dizajnues i logos së Teatrit Kombëtar e gjithashtu edhe themelues i Galerisë Kombëtare dhe koleksionimit të tij.

Këndi është hapur sot në ora 10:00 dhe do të qëndrojë i hapur për një muaj të plotë./ KultPlus.com

Të ngjajshme