Në GKK mbahet “Çmimi Muslim Mulliqi”, fitues shpallet piktori Driton Hajredini

1 Shkurt, 2023 - 9:45 pm

Era Berisha

Muret e shumta dyngjyrëshe të Galerisë Kombëtare të Kosovës kanë përthekuar një numër të konsiderueshëm të pikturave të cilat ishin të vendosura në një mënyrë tejet të veçantë, asisoj që të shënohet suksesshëm edicioni i 14-të i Bienales Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi”. Nga cepi në cep, u vë dukshëm në syrin e audiencës, që pikturat i përkasin një niveli krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Gjendjet e ndryshme, atmosfera lirshëm e interpretuar dhe teknika të llojllojshme, ishin disa nga elementet që këtë ekspozitë e bënin të admirohej nga gjithsecili, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës, kuratorja Alisa Gojani e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje ajo shprehi kënaqësinë e saj për punën e palodhshme të stafit.

Tutje, një nga kuratorët e ekspozitës, Raimund Stecker, tregoi konceptin e kësaj ekspozite si dhe falënderoi ekipin e GKK-së për punën.

“Përshëndetje të gjithëve. Kërkoj falje që nuk e flas gjuhën tuaj të bukur. Do të doja shumë që ta flisja por fatkeqësisht flas pak anglisht dhe ndonjëherë edhe gjermanisht. Ju falënderoj fillimisht për ftesën. Dua të them vetëm disa fjalë. Ideja e shfaqjes ka qenë sjellja e artistëve nga jashtë në Prishtinë, asisoj që artistët të takohen së bashku. Ajo se çka bëmë ne është të njohim të gjithë popujt nga të cilët vinë këta artistë që janë këtu sonte. Ajo se çka politikanët nuk e kuptojnë është se individët po punojnë gjithmonë bashkë, shumë mirë, pa kufij mes tyre. Dua të ju falënderoj për punën e juaj dhe dua të falënderoj ekipin e Galerisë. Shpresoj që kjo Galeri të zgjerohet akoma më shumë”, thotë Stecker.

Në këtë përbërje të jurisë qenë: Ivana Vaseva, Ardian Isufi dhe Raino Isto. Sonte, fjalën e mori profesori në Universitetin e Arteve të Tiranës, Ardian Isufi.

“Së pari ju falënderojmë shumë për ftesën. Së dyti doja të thosha që kjo nuk është thjesht një ekspozitë, por është një ndërhyrje artistike alternative me një frymë goxha bashkëkohore. Më vjen mirë që edhe Prishtina ashtu si vendet tona shqipfolëse, ka gjithë kohës një lloj dëshire që shqiptarët në tërësi të jemi pjesë e rëndësishme e sistemit të artit bashkëkohor, andaj në këtë kontekst dua të uroj edhe kuratorin por edhe Galerinë e stafin. Ne së bashku patëm një diskutim shumë konstruktiv për të përzgjedhur më të mirin ndër më të mirët. Në mënyrë unanime ramë në një konkluzion të përbashkët dhe vendimi ynë nuk do të thotë që është një mendim i cili i shkon vetëm çmimit, por thjesht jep një avantazh artistit apo krijimtarisë së artistit. Në këtë kontekst, së bashku menduam që vepra e Driton Hajredinit të jetë vepra fituese”, shpalos ai.

Ai tutje shpjegoi arsyen për zgjedhjen e veprës së piktorit Driton Hajredini, si fituese të këtij edicioni.

“Absolucion – dialog në errësirë, pasqyron në mënyrë më koncize raportin ndërmjet konteksteve politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe domosdoshmërinë e lirisë së lëvizjes nëpër këto kontekste. Ajo merr formën e një rrëfimi duke i dhënë një zë, një eksperience specifike personale të të qenurit i bllokuar brenda kufijve kombëtare, ndërsa njëkohësisht shpreh një dëshirë universale për të dëshpëruar, për t’u shpëtuar, për t’u shfajësuar.”

“E kemi lënë shumë të hapur tekstin, sepse edhe vepra është shumë e hapur sepse ka shumë kontekste dhe nëntekste. Gjithashtu, është një vepër që frymëzon një reflektim të thellë mbi politikën globale dhe mënyrën se si rrjetet e pushtetit kufizojnë jetën dhe shpirtrat e njerëzve”, përfundon Isufi.

Ndërsa, hulumtuesja dhe kuratorja, Ivana Vaseva fjalimin e njëjtë të profesorit Isufi, e realizoi edhe në gjuhën angleze.

Para se edhe fituesi të merrte fjalën, atij iu dhurua çmimi “Çmimi Muslim Mulliqi”. Piktori Driton Hajredini, i emocionuar, tregoi se kjo ishte hera e dhjetë që ai po konkurronte në këtë bienale.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit që ishin në një numër tejet të madh, po hynin brenda dalëngadalë. Në drejtim të katit përdhese apo të dytë, sytë e publikut po akumulonin energjinë e paparë që pikturat, instalacionet, video-instalacionet dhe veprat e tjera portretizonin. Ajo se çka vlen të theksohet qe edhe koncepti kuratorial i jashtëzakonshëm nga Christian Mosar dhe Raimund Stecker, që i dha Galerisë një pamje të rrallë, të pakrahasueshme.

Me dimensione të ndryshme, me tema e motive tejet kontraste ndërmjet vete, me teknika diversive dhe me një komunikim unik, veprat hijeshonin shpirtrat e pranishëm. Njashtu si titulli kuratorial “Gjest respekti, re-tro-spektivë, ri-shikimi, ri-kthimi, re-spekti, ri-spekulimi, re-spektakular”, ekspozita shpalosi bërthamën e mesazhit që “piktura ka të ardhmen më të madhe”. Nëpërmjet retrospektivës, audienca u vë ballë me këto pamje që asnjëherë nuk do t’i harrojnë. Qëllimi që kjo bienale të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen, padyshim që është arritur.

Kujtojmë që artistët pjesëmarrës qenë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, QazimXhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Ndërkaq, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023. / KultPlus.com

Të ngjajshme