Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi

11 Tetor, 2023 - 3:30 pm

Paper Gallery dhe Prishtina Biennale hapin nesër ekspozitën e artistit Nusret Salihamixhiqi, përcjell KultPlus.

Nusret Salihamixhiqi është një nga artistët modernist më të shquar të Kosovës. Duke elaburuar temat si: primitiven, ndryshimin e butë të figuracioneve të tij si fëmijë, peisazhet, linjat, përdorimin e ngjyrave, Salihamixhiqi u tërhoq qartë nga teknikat dhe idetë që qëndronin në themel të surrealizmit dhe brutalizmit të artit.

Artisti shfrytëzon maksimalisht të gjithë spektrin e ngjyrave për të shpalosur botën e tij kreative, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik.

Duke i parë pikturat dhe vizatimet e artistit nuk mund të mohohet brendësia e kompozimeve të tij piktorike, Salihamixhiqi duket se ka qenë më pak i magjepsur nga pavetëdija në vetvete sesa nga universet alternative që mund të sjellë në jetë.

Punimet e instaluara në hapësirën e Paper Gallery janë eksplorim i dekadave të punës së artistit, në të cilën fillojmë me vizatime e skica deri tek ‘loja’ në pikturë përmes së cilës artisti e krijoi stilin e tij unik. 

Ekspozita hapet nesër, më 12 tetor, ora 19:00 në Paper Gallery dhe do të qëndroj e hapur deri më 21.12.2023. / KultPlus.com

Të ngjajshme