Pas vdekjes bëhej maska me detajet më të thella të fytyrës, kjo është maska e vdekjes së At Gjergj Fishtës

26 Janar, 2019 - 2:00 pm

At Gjergj Fishta i takonte Urdhrit të Françeskanëve, që e kishin në traditën e tyre që kur vdisnin personalitete të shquara të tyre ata ua merrnin maskën e fytyrës. Kjo kërkonte një teknikë dhe mjete speciale për tu realizuar.

Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 dhe u varros në Kishën e Françeskanëve një ditë më vonë. Sipas dëshmive të disa anëtarëve të shoqërisë Antoniane, ne mësojmë se maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e realizoi një françeskan tjetër i shquar: At Justin Rrota. Gegë Marubi realizoi fotografimin e Maskës së Fishtës në disa projeksione. Maska është realizuar me një teknikë të lartë, përmes të cilës ka ruajtur deri elementet më të detajuara të fytyrës, si rrudhat e fytyrës edhe qerpikët e syve, fijet e flokëve, etj. Maska ka ruajtur elemente të shprehjes së qetë të fytyrës së poetit menjëherë pas vdekjes.

Një histori më vete dhe mjaft interesante është ajo e ruajtjes së maskës së Fishtës deri në ditët e sotme. Kjo histori lidhet me anëtarin e flaktë të Shoqërisë Antonjane Tom Leci. Franceskanët kishin krijuar në Shkodër një shoqëri të djelmenisë që e quajtën “Shoqëria Antoniane”. Tom Leci ishte një pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie mjaft të njohur në Shkodër. Ai kishte fituar çmime në poezi, pikturë, skulpture dhe shquhej për ndjejnjat e zjarrta të dashurisë për atdheun. Ai në 1939 krijoi së bashku me shokë të tjerë shoqërinë “28 Nandori”. Qe luftëtar për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, në Rugovë. Toma mori përsipër ruajtjen e maskës së Fishtës në vitet e dallgëve të kohës që kaloi atdheu, gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe gjatë viteve të diktaturës. Deri në fund të jetës (2005), Toma e ruajti maskën e Fishtës me një përkushtim të madh. Është interesant se ai krahas maskës së Fishtës ruante të ekspozuar në dhomë edhe portretin e gjyshit të tij, Marka Kolës (1832-1880), një prej heronjve të “Lahutës së malësisë” së Gjergj Fishtës. Portreti i Marka Kolës ishte realizuar nga piktori i popullit, Simon Rrota (vëllai i Atë Justin Rrotës, OFM).

Të ngjajshme