Patricia Esquivias, solli hulumtime artistike në formë vizuale për historinë e Spanjës

19 Prill, 2018 - 2:30 pm

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në Klubin e Boksit, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë solli ekspozitën e artistes spanjolle Patricia Esquivias, “Folklor. E ardhmja ishte kur?”, punë kuratoriale nga Vala Osmani, shkruan KultPlus.

Sapo hyje në hapësirat e Klubit të Boksit, në çdo pjesë të hapësirës mund të ndesheshe me një zë që gërshetonte rrëfime brenda vetes, ky ishte zëri i Patricia Esquivias e cila i sjellë këto tregime edhe në mënyre vizuele. Mënyra se si ajo e ndërlidh rrëfimin me veprimin, e fokuson çdo herë e më shumë shikuesin drejt ekranit. Mes hapësirave kishte ndarje, ndërsa në çdo pjesë vizitorët ishin të fokusuar në njërin ekran. Mënyra se si Patricia Esquivias mundohet ta paraqes tregimin, e ndërlidhjet e saj bëjnë që ajo të duket sikur po flet në atë moment me secilin që gjendet para ekranit. Ajo ndërton tregimet e saj bazuar në memorie, anekdotat dhe informatat, duke ndërtuar rrëfimin në të cilin autorja lexon tekstin dhe prezanton dokumentet prapa një kamere fikse pa ndërhyrje, pa prerje duke shmang çdo lloj editimi. Në krijimet e saj, mikro tregimet përzihen me Historinë e madhe në një mënyrë që në shikim të parë duket e shpërndarë, duke shfaqur pamundësinë e rrëfimit të historisë lineare, të thjeshtë dhe objektive.

Dokumentet kanë karakter performativ, të krijuara në një sesion të vetëm; ato janë përmbledhje gojore të shqiptuara në gjuhën angleze, të mbështetura nga hulumtimi i gjerë i kryer nga artistja, të cilat ajo i përkthen në harta konceptuale dhe arkiva të imazheve. Improvizimi është gjithashtu pjesë e procesit dhe çmohet lartë nga artistja për shkak se mundëson fleksibilitet dhe gjithashtu lejon që dobësitë të shfaqen në performancë.

Kjo ekspozitë është bashkëpunim mes Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Muzeut Bashkëkohor në Madrid, atje ku në vitin 2016, Patricia Esquivias kishte prezantuar ekspozitën e saj në Centro Arte Dos de Mayo, ndërsa Stacion kishte bashkëpunuar në një publikim me muzeun atje. Kuratorja e ekspozitës, Vala Osmani tregoi se që atëherë kishin planifikuar që këtë ekspozitë ta sillnin edhe në Prishtinë. Osmani tregoi se puna e artistes nga Spanja bazohet në hulumtim artistike dhe që kërkon edhe kohë në procedimin e tregimeve që i përfshin në punimet e saj. Ajo tha se konteksti i ekspozitës së saj është shumë i rëndësishme për Kosovën pasi që ka mungesë të hulumtimit artistik në raport me objektet dhe gjërat që i kemi për rreth pasi që mungon tregimi personal ndërsa tha se sipas saj narracioni zyrtar është gjithmonë ndryshe.

“Kur e kam parë ekspozitën në Madrid, e kam parë që ka filluar të dal me objekte, prej strukturës së objekteve që i ka pasur në video, ato gradualisht marrin formën e materialeve dhe ekspozohen në hapësirë. Më ka ardhë shumë mirë që jam njoftuar me punën e saj dhe folkloret kurse mua më duket që është shumë me rëndësi tregimi, tregimi i saj që është shumë personal dhe që e tregon në mënyrë të veçantë se si e punon, do të thotë nuk ka ndërprerje të tregimit”, tregoi Vala Osmani për KultPlus, ndërsa shtoi se edhe në Kosovë duhet të shpërfaqen tregimet e ngjashme, të cilat janë fshehur e rrënuar pa e bërë ndonjë dokumentim lidhur me to.

Aristja spanjolle Patricia Esquivias tha se ka një kohë që ka menduar ta sjellë ekspozitën këtu por meqë ekspozita ka qenë shumë specifike për Madridin, atëherë edhe kanë bërë disa selektime në kuadër të punimeve që i kanë sjellë.

“Puna që po shfaqet këtu është si një përgjithësim i punës time lidhur me historinë e Spanjës dhe ekspozita në Madrid ka treguar në mënyrë me specifike historinë e Madridit ndërsa këtu tregoi historinë e tranzicionit tek modernia dhe vështirësitë që i kemi hasur për të kaluar në demokraci”, tregoi aristja Esquivias për KultPlus.

Lidhur me idenë fillestare për ta sjellë ekspozitën në një format të tillë, ajo tha se si një artiste që ka studiuar në vende të ndryshme të botës, e ka parë që njerëzit nuk dinë edhe aq shumë për historinë e Spanjës. Përmes hulumtimeve artistike, përveçse ka arritur t’u tregoi të tjerëve për vendin e saj, ajo po ashtu ka arritur që dhe vet të kuptoj më shumë lidhur me vendin ku ajo është rritur.

“Shumë herë jam përpjekur t’i shpjegoi gjërat lidhur me Spanjën, përfundimisht jam shumë e lumtur që kam arritur t’i sjellë përmes videove. Po ashtu edhe gjatë kohës sa kam jetuar në Spanjë, edukimi im ka qenë në një sistem ndërkombëtar kështu që ka qenë një farë ndarje me jetën dhe edukimin spanjoll ndërsa që ka qenë shumë e rëndësishme edhe për mua të kuptoj më shumë se çfarë ka ndodhur në një vend ku kam jetuar për shumë vite dhe nuk kam qenë e vetëdijshme se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, tregoi artistja Esquivias.

Patricia Esquivias (lindur në Karakas 1979) është rritur dhe ka jetuar në Madrit ku edhe tash jeton. Ajo ka studiuar art në Central Saint Martins Collegeof Art and Design në Londër dhe California College of the Arts në San Francisco. Esquivias ka marrë pjesë në rezidencat artistike në Skowhegan, Madison, 2006; Wiels Contemporary Art Centre, Brussels, 2010; Akademie Schloss Solitude, Stuttgart, 2011.

Ekspozita “Folklor. E ardhmja ishte kur?”, do të qëndroi e hapur deri më 19 maj, brenda hapësirës së Klubit të Boksit në Prishtinë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme