Paul McCartney i prezantohet publikut edhe si fotograf

26 Janar, 2023 - 3:51 pm

Paul McCartney, 80-vjeçari që ende jep koncerte, do të vijë për publikun edhe në cilësinë e fotografit.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA thotë se, së shpejti do të kemi në duar librin me titull “1964: Eyes of the storm”, i cili përmbledh fotografi, reflektime dhe ndërhyrjet e historianes së Harvard-it, Jill Lepore, drejtorit të National Portrait Gallery të Londrës, Nicholas Cullinan si dhe të kuratores Rosie Broadley.

Libri po përgatitet të dalë njëkohësisht nga shtëpitë botuese anembanë globit, në 13 qershor 2023.

Në vitin 2020, në arkivin e ish këngëtarit të grupit Beatles, u zbulua një sasi e jashtëzakonshme fotosh të bëra me film 35 mm. Bëhet fjalë për foto të shkrepura në momente private e intime, mes 1963-`64, kur grupi ishte në kulmin e suksesit.

Për librin që del së shpejti, janë përzgjedhur 275 fotografi te McCartney-t, të shkrepura në 6 qytete të ndryshme: Liverpul, Londër, Paris, Nju Jork, Uashington D.C. dhe Majemi.

Për ta plotësuar këtë event të rëndësishëm, veçanërisht për adhuruesit e Beatles, menjëherë pas daljes së librit nëpër libraritë e të gjithë botës, në galerinë “National Portrait Gallery” të Londrës, do të çelet një ekspozitë me foto të McCartney-t që i shfaqen publikut për herë të parë./KultPlus.com

Të ngjajshme