займ на карту онлайн потребительский кредит

Pen for Culture nisi punëtorinë me fotografi, Hazir Reka i mahnitur me talentin e të rinjve

23 Tetor, 2020 - 4:58 pm

Medina Pasoma

Fotografitë: Nok Selmani

Laramania e ngjyrave të vjeshtës i kishte falur një freski parkut të Gërmisë, teksa dëgjoheshin vetëm zërat e zogjve dhe të aparatit fotografik që jetësonte momente nga kënde të ndryshme. Fokusi e këndvështrimi i syrit dhe lëvizjet e gishtave të të rinjve bashkë me udhëzimet profesionale të Hazir Rekës, u bashkuan në punëtorinë e fotografisë  të organizuar nga organizata “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Mëngjesi i freskët i ditës së sotme i gjeti të rinjtë e komuniteteve të ndryshme të shoqëruar nga bukuria e vjeshtës nën kombinimin e ngjyrave të shumëta, duke i falur natyrës një pamje të mrekullueshme. Pjesëmarrësit e punëtorisë me të arritur në parkun e bukur të Gërmisë filluan ta vështronin ambientin, duke krijuar në mendjet e tyre ide kreative për t’i marrë pozat e natyrës. Ishte fotografi i njohur, Hazir Reka ai i cili i drejtonte të rinjtë dashamirës të artit fotografik rreth mënyrës se si do të dilte më e bukura në pah, nëpërmjet tekniknave profesionale.

Këndvështrimet e ndryshme të gjithësecilit ishin vlerë dhe pasuri përgjatë procesit të punës. Dikush fokusohej në një pamje më të gjerë, dikujt ia ngacmonin sytë detajet, për dikë lëvizjet e për dikë statikja kishte rëndësi mirëpo, ajo që i bashkoj që të gjithë ishte përpjekja që të gjitha këto të reflektonin në fotografi, në mënyrë që një moment të mbetej në kujtesë përgjithmonë.

Fotografi i cili nëpërmjet aparatit të tij fotografik e ndali momentin në gjendje lufte e paqeje, na solli ndër vite pamje të natyrës e portrete të ndryshme, Hazir Reka ishte i gëzuar që kishte fatin të punënonte me të rinj dhe gjithë profesionalizmin e tij t’ia përçojë atyre përgjatë tre ditëve sa pritet të zgjasë kjo punëtori.

“Për mua është interesante sepse në moshën që janë ata, 40 vite më parë unë kam filluar ta zhvilloj filmin e parë dhe të fotografoj, pa më ndihmuar askush, ndërkaq do të dëshiroja që edhe këta të rinj ta vazhdojnë këtë rrugëtim ashtu siç unë kam bërë deri sot”, u shpreh për KultPlus fotografi Reka.

Ambienti i përzgjedhur për ditën e parë të punëtorisë, parku i Gërmisë për Rekën vlerësohet të jetë i qëlluar për shkak të natyrës së pasur.

“Sot përgjatë punëtorisë patëm fat që ndriçimi ishte i duhur, peizazhi shumë i mirë, plus kur i shtojmë edhe ngjyrat e vjeshtës të cilat janë më të pranueshme për të realizuar fotografi”, theksoj tutje Hazir Reka

Entuziazmi me të cilin kishin punuar të rinjtë dhe fotografitë të cilat i kishin shkrepur i pëlqyen Rekës. Nga të gjitha fotografitë e shumëta të realizuara sot, ai veçoi dy peizazhe dhe tre portrete. Përderisa peisazhet paraqitnin bukurinë e drunjve, të barit dhe ngjyrave, tre portretet shpalosnin shpirtërat e protagonistëve të fotografisë.

Haziri i cili ka kaluar një periudhë të gjatë duke u marrë me fotografinë dhe artin që përçohet nëpërmjet pamjes, mendon se puna është bazamenti i suksesit për një të ri që e do këtë fushë.

“Një fotograf i ri duhet ta ketë vullnetin dhe dëshirën, ngase nuk i ka nuk mjafton vetëm ta ketë aparatin”, shtoj tutje Haziri.

Për Vlerë Mehmetin, njërën nga pjesëmarrëset, punëtoria për fotografinë do të mbetet një eksperiencë e mirë, duke shtuar këtu edhe vullnetin e përbashkët të ekipës dhe të fotografit Reka.

“Ishte shumë interesante që ne u munduam t’i zëmë disa momente dhe t’i shkrepim disa fotografi vet nëpërmjet mundësisë që na u dha. Ne kemi bërë fotografi por jo kaq profesionalisht me aparat fotografik”, u shpreh Mehmeti.

Vlera theksoj se pëlqen shumë të fotografoj, e sidomos natyrën. Ndërkaq nga të gjitha fotografitë të cilat ka pasur rastin t’i shkrep, njëra i ka mbetur në mendje më së shumëti. Ishte pamja e një të moshuari, ajo që ia fali një ndjesi ndryshe asaj.

“Në park në vendin ku u realizuan fotografitë ishte një i moshuar, ishte kënaqësi për ne që ajo pranoj që ta fotografonim te një burim i ujit. Te ai interesante ishte ngjasimi i tij me gjyshin tim për nga pamja, rrudhat e tij në fytyrë më ngjallën një nostalgji”, shtoj tutje Vlerë Mehmeti.

Ky moment nuk do t’i mbetet në kokë vetëm Vlerës. Është pjesëmarrja tjetër e punëtorisë, Bora Thaçi ajo e cila poashtu pëlqej më së shumëti momentin e fotografimit të plakut.

“E kemi takuar një të moshuar dhe i kemi kërkuar t’ia bëjmë një fotografi. Ka qenë një moment shumë i mirë për mua, është habitur shumë por, në të njëjtën kohë ka buzëqeshur sepse i ka ardhur shumë interesant që dikush po i kërkon t’i bëj foto, edhe për atë më ka pëlqyer shprehja emocionale e tij”, u shpreh Bora, teksa kujtonte momentin.

Thaçi ka nisur rrugëtimin fotografik në mënyrë profesionale për herë të parë në këtë punëtori mirëpo, interesimi i saj kishte lindur qyshmoti, e që tanimë gjeti realizimit të saj.

“Kjo punëtori definitivisht ma ka rritur interesimin për fotografi shumë më shumë. Më ka pëlqyer edhe atmosfera tejet e mirë dhe shoqëruese si dhe thjeshtëzimi i teknikave, se ku binte dielli, ku janë hijet dhe gjëra të tjera”, tha Bora Thaçi.

Tanimë që ajo ka mësuar disa teknika të nevojshme, iu ka ndërruar edhe këndvështrimi për fotografinë, të cilën e vlerëson se kurrë nuk del nga moda.

“E shoh si një mënyrë më të lehtë për t’i kapur momentet sepse kjo është e vetmja formë dhe mund të krijosh shumë gjëra më të bukura dhe mendoj që kjo gjë na vyen të gjithëve shumë”, theksoj Bora Thaçi.

Në anën tjetër fotografinë Diar Besaj e ka hobi, të cilën e realizon kohë pas kohe, mirëpo ndihma e profesionistit Reka e ka bërë t’i pëlqej edhe më shumë.

“Falë fotografit me përvojë që e kemi pasur, na ka bërë t’i kuptojmë disa elemente më shumë të cilat nuk i kemi pa më parë me sy, e të cilat ishin detaje më të vogëla, përshembull reflektimi i dritës në objekte”, tha Besaj.

Për Diarin momenti i cili i ka pëlqyer më së shumëti mbetey kur aparatin e tij ai e drejtoj ndaj një ambienti të fëmijëve, të cilit ishin të lumtur duke luajtur.

“Më ka pëlqyer shumë sepse të gjithë kanë qenë në një ambient gazmorë dhe të buzëqeshur, e kjo ka bërë të kem mbresa të mira”, tha Diar Besaj.

Përtej peisazheve natyrore, organizatorët ishin kujdës që të rinjtë të fotografonin edhe pamje urbanistike, kështu rrugët e qytetit të Prishtinës u bënë destinimi i tyre, në përpjekjë për të kapur punimet arkitektonike, ndërtesat dhe ngjyrat e qytetit pa lum.

Kjo punëtori e fotografisë u realizua në kuadër të projektit “Pen For Culture” me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Ndërkaq ishte hera e tretë me radhë prej kur “ProPlus” përdori artin si mjet për të sjellur një frymë multientike në mes të rinjve, pas punëtorive për ese dhe pikturë. / KultPlus.com

Të ngjajshme