Për intimen dhe pyetjet e jetës, Arton Sefa hapi sonte ekspozitën personale në KultPlus Caffe Gallery

9 Gusht, 2019 - 8:30 pm

Xhemile Hysenaj
Fotografitë: Jozefina Kolic

Të fotografosh do të thotë të kapësh momentin, të kapësh të pakapshmen e shpesh edhe të bësh histori. Fotografia si cdo art tjetër, ka natyrën e saj ekspresive, ku secili autor shpalos herë një pjesë të brendësisë së tij e herë atë me të cilën preokupohet ai apo shoqëria.

Me “Nuk kam përgjigje”, Arton Sefa, fotograf shqiptar i cili ka bashkëpunuar me Vogue, Louis Vuitton dhe GQ, erdhi për herë të parë në Kosovë për të treguar përgjigjet e jopërgjigjet e fotografisë së tij.
Ekspozita zuri vend në ambientet e KultPlus Caffee Gallery, ku pjesëmarrësit patën rastin të njihen me fotografin edhe pa filluar hapja, të njoftoheshin me të personalisht e poashtu edhe rreth punës së tij më gjerësisht.

“Nuk kam përgjigjje” është homazh për jetën, për kohën në të cilën jetojmë e cila ka më shumë pyetje se përgjigjje. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, mirëpo të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Me pjesën e parë tregonte detajet të cilat autori i cilësonte si më intimet e njeriut: shpina, qafa, reflektimi i vetes në pasqyrë, pjesë apo momente me të cilat përballemi vazhdimisht gjatë jetës sonë.


Pjesa e dytë ishte pjesa kryesore e ekspozitës, aty shpaloseshin ciklet e jetës së njeriut, dëshpërimet, gëzimet, vuajtjet e hidhërimet, duke shfaqur një nyje të fortë e pothuajse të pamundur për ta zgjidhur, mes natyrës dhe intimes.

Gjatë prezantimit të ekspozitës, Arton Sefa deklaroi të jetë mjaft i kënaqur me punën që është bërë deri në realizimin final të ekspozitës, duke falenderuar KultPlus për bashkëpunimin dhe publikun pjesëmarrës, që njëkohësisht ishin edhe mjaft të fascinuar e përkrahës ndaj punës së tij.
“Arsyeja pse unë kam vendosur që ekspozitën time të parë në Kosovë ta mbaj në KultPlus është se KultPlusi ka qenë i pari që është angazhuar rreth njohjes së punës sime, në fillimet e mia të karrierës si fotograf, andaj unë gëzoj respekt të madh për këtë institucion, dhe mirënjohje jetësore”, u shpreh ai.

Ideja e kësaj ekspozite është krijimi i një debati, ku edhe pse mesazhi duket të jetë pasiv, ai prapë se prapë bartë një ide aktive, deklaroi Arton Sefa.
“Ne në jetë kemi shumë pyetje e shumë përgjigje, por ndonjëherë as njërën dhe as tjetrën. Ekspozita poashtu lidhet edhe me periudhën e vendit tonë, me shumë tema që tashmë janë bërë të parodizuara”, potencoi Arton Sefa.
Nën tingujt e këndshëm të muzikës që luhej në sfond, mysafirët u njohën edhe më afër me punën e tij artistike dhe rezoltuan të jenë mjaft të kënaqur.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun për dy javë, duke filluar nga sot.
Të gjitha fotografitë në ekspozitë janë në shitje. Të hollat që do të mblidhen nga shitja e fotografive, do të shkojnë për bamirësi./KultPlus.com

Të ngjajshme