Përmes ngjyrave, artistët sollën zhurmë në Galerinë Qahili (FOTO)

10 Tetor, 2017 - 1:15 pm

Mini-ekspozita me një kolazh prej rreth 40 pikturave, prej rreth 25 artistëve, përmbylli mbrëmë edicionin e tretë të aktivitetit “Zhurma e Artirtstëve Pa Kufi” në Galerinë Qahili, shkruan KultPlus.
Poçet elektrike të ndezura nën gjethet e rrushit, të ftonin në një atmosferë të ngrohtë brenda Galerisë Qahili, e cila mblodhi një numër të madh të artistëve dhe artdashësve.

Një përzierje mes gjeneratash solli një përzierje idesh dhe stilesh në mini-ekspozitën e “Zhurma e Artistëve Pa Kufi”. Diversiteti i kësaj ekspozite erdhi përmes pikturave të ndryshme ku dominonin portretet e peizazhet me ngjyra diku më të ndritshme, e diku më të errëta.


Hapjen e kësaj ekspozite e bëri Engjëll Berisha me fjalë falënderuese për organizatorët e këtij edicioni, “Gjatë ditëve të fundit jemi mbledhur në një ambient, ku kjo galeri ka funksionuar si hapësirë ku ne kemi ardhur si artistë dhe na është dhënë një hapësirë tjetër, pos atyre që janë publike”, tha Berisha.

Artistët u shprehën të kënaqur me punën e tyre në një ambient të përbashkët, përgjatë këtyre ditëve. Mina Krasniqi e cila në këtë ekspozitë solli dy portrete nga cikli i nuseve shqiptare, tha për KultPlus se është ndier e inspiruar gjatë punës në këtë Galeri.

“ Koncepti im është pikturimi i nuseve shqiptare që ua imponojnë martesën, për atë i bëj nuset symbyllur, një ëndërr e paparashikuar në të cilën nuk e dinë as ato realitetin. Puna këtu në galeri gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë e mire, unë jam inspiruar shumë mirë këtu, sepse kemi ndarë kohë me kolegë , ka qenë një lloj ngrohtësie në kohën e ftohtë”, ka thënë ajo.

Nikoqiri i kësaj ekspozite, Eshref Qahili e përshkroi këtë edicion më ndryshe ku artistët sollën zhurmë të punës brenda galerisë, e cila gjatë këtyre ditëve qëndroi si një derë e hapur për të gjithë artistët.
“ Galeria ka qenë e hapur për artistët të cilët duan të punojnë, pa ndonjë obligim, qoftë edhe për një takim me njëri-tjetrin. Janë disa pëlhura të cilat janë të zbrazura dhe disa në të cilat vetëm janë hedhur ngjyrat dhe nuk ka asnjë pikturë. Besoj që është një version ndryshe nga ajo si jemi mësuar, por gjithmonë mbetem me shpresë që herëve të tjera të bëjmë diçka të tillë, por jo për tri ditë por për trembëdhjetë ditë”.

Sipas kritikut të artit, Ilir Muharremi këtë ekspozitë e bënte të veçantë, tubimi i artistëve në punë kolektive, por koha e shkurtër sipas tij, ndikoi që kjo galeri të kishte edhe mangësi.
“Si ide dhe qëllim ishte shumë interesat, ku artistët brenda tri ditëve, t’i shohin punët e njëri- tjetrit, të ndikohen dhe të shkëmbejnë ndonjë ide, këtu dominonin ngjyrat e ngrohta, të ftohta dhe neutrale .Kishte art abstrakt, ekspresiv, impresiv, secili paraqiste ndonjë përvojë të tij ose diçka nga individualja. Mirëpo këtu mungonin instalacionet apo ndonjë performancë, ndoshta kjo edhe për shkak të kohës së shkurtër, pasi që, një ngjarje si kjo do duhej te zgjaste më shume se tri ditë”, ka thënë Muharremi.

Në këtë ekspozitë të Galerisë Qahili janë prezantuar me veprat e tyre artistët: Mentor Avdili, Yll Xhaferi, Ardian Mehmetaj, Burim Myftiu, Nexhmi Bardhi, Leonit Palushaj, Emine Krasniqi, Baku Abdullahu, Arben Shala, Majlinda Kelmendi, Jeta Kalaveshi, Luljeta Leci, Bardha Buza, Naim Spahiu, Merita Myderizi-Maloku, Agron Mulliqi, Skender Hajdini, Adea Pula, Dafine Vitija, Engjëll Berisha Jr, Shkamb Jaka, Kamuran Goranci, Musa Kalaveshi e Eshref Qahili.
Ky aktivitet ishte i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme