Piktorja Xheneta Kadillari i jep tjera ngjyra Shkodrës

22 Tetor, 2019 - 9:06 pm

Në Galerinë e Artit Shkodër këto ditë u hap ekspozita e piktores Xheneta Kadillari. Në të janë paraqitur peizazhe, portrete, kompozime, nudo. Vjen si një mozaik i bukur shumëngjyrësh në një vijëmësi krijuese me punime të kohëve të fundit. Janë peizazhe, natyra të qeta, portrete, kompozime e nudo, të ndërfutura e lidhur harmonikisht, përfaqësim i njëmendtë, një ekspozitë e plotë.

E tillë është Xheneta, një shkodrane e lirë, e kulturuar, pak rebele në artin e saj, që frymën e vendlindjes e përcjell nëpërmjet artit që krijon. Simbioza ndërthurëse, si veçori formimi, nga se Shkodra është në zanafillë të themeleve të ngrehinës së arteve pamore shqiptare, duke u shquar si një trevë me frymëzim piktorik .

Me kohë artistja e ka krijuar profilin artistik. Në shtator të vitit 2010 merr çmimin “Pelod” nga Qendra e Artit “DEA”, çmimin e dytë në konursin Ndërkombëtar “Vangjush Mio”, Medalje të Argentë” në konkursin e Aademisë Europiane të Artve në Genblaux të Belgjikës, Medaljen “Naim Frashëri”, akorduar Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, medaljen e Bronxtë në Bienalen  e piktorëve të Mesdheut në Aleksandri të Egjiptit. Ka bërë 14 ekspozita vetiake dhe shumtë të tilla me bashkautorë brenda dhe jashtë vendit.

Xheneta është koloriste. Të rrallë janë ata piktorë që meritojnë një titull të tillë. Tek piktorja kjo shpërfaqet së brendshmi, vjen nga ajo pasuri e madhe, që ka Shkodra si kryeqendër e hershme kulture.

Agim Janina / Shqiptarja

Të ngjajshme