”Post-avangarda lindore”, ekspozita që bashkon artin shqiptar me atë kosovar

18 Tetor, 2019 - 9:40 am

Xhemile Hysenaj

Arti nuk shuhet kurrë, vjen në forma të ndryshme duke mishëruar jetën dhe ndjenjat e secilit që është autor i tij. Përmes tij është shprehur revolta, dashuria, urrejtja, nostalgjia e dhimbja.

Mbrëmë, në muret e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, vareshin veprat e tre artistëve të cilët synonin të ”provokonin” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Në mure vareshin pikturat e Adrian Çene, Albana Shoshit dhe Brikena Bërdos. Këta artsitë tashmë të njohur në botën e artit dhe më gjerë, përmes artit të tyre ata realizuan qëllimin që kjo ekspozitë kishte si pikënisje. Të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës.

Kuratore e kësaj ekspozite ishte Suzana Varvarica Kuka, e cila për KultPlus tregoi se ishte shumë e kënaqur me punën e artistëve dhe se zgjedhja e tyre nuk ka qenë e rastësishme, pasiqë ajo i kishte përcjellur gjatë karrierës së tyre dhe e njihte artin e tyre.

”Titulli i kësaj ekspozite është provokim pretendues, për të kuptuar se ende arti i ish vendeve të Lindjes socialste në Europën e sotme, madje në rastin tonë ajo e vendit të shqiptarëve, është një përpjekje për t’i bërë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore, që kanë një histori tjetër zhvillimi nga ajo e vendeve të Lindjes. Kundërshtitë dhe ndryshueshmëria do të jenë relativisht të pranishëm derisa temat e subjektet do të burojnë nga shtresat social politike të shoqërive tyre”, shprehej Suzana Varvarica Kuka.

Albana Shoshi, një artiste e njohur shqiptare bashkëkohore e pikturës figurative, për KultPlus tha se ”Realizimi i kësaj ekspozite është i shtrirë në kohë, pasiqë ka marrë 5-10 vitet e fundit dhe ky është rezultati i kërkimeve tona gjatë krijimtarisë sonë. Puna ime lidhet me jetën reale shqiptare e cila përballet me jetën e re kapitaliste e me mënyrat e reja të jetesës që bie në kontradiktë me realitetin shqiptar që ka qenë i mbyllur”.

”Post-avangarda lindore” ka si mision t’i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek.XXI.

Post-avangarda i bënë bashkë tre artistët e rinj shqiptarë, të cilët aplikojnë gjestin e pikturimit mbi telajo, sjellin natyrshmërinë e krijimit vetjak, mbi të cilin aspirojnë profesionalizëm dhe dëshirë, si dhe i kushtëzohen trajtesave të njohura dhe praktikave të sprovuara të artistëve ndërkombëtarë, që u shfaqën nga mesi i shek. XIX e vijojnë deri në kohën tonë.

Ekspozita është e realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe zë vend në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ku do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2019. /KultPlus.com

Të ngjajshme