Prej skicave në kryevepra, rruga e Petrit Halilajt drejt ekselencës

11 Gusht, 2023 - 11:08 am

Uranik Emini

“Kur unë të rritem, dua të bëhem një pilot, një astronaut, një artist…. një diçka tjetër”. Kjo është një prej shprehjeve që shumë fëmijë në botë e përdorin pothuajse çdo ditë në jetën e tyre. Duke u rritur, njerëzit fillojnë që disa prej ëndrrave të tyre, t’u japin kuptim. Por, disa njerëz të tjerë të cilët punojnë pa ndalur, i japin kuptim të gjitha ëndrrave të tyre. Eleanor Roosevelt si një diplomate amerikane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, dikur thoshte se “e ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre”. Një person i tillë është artisti Petrit Halilaj, i cili gjithë karrierën e tij artistike e filloi me “trauma” të skicuara, për të arritur majat e botës, shkruan KultPlus.

Së fundmi, artisti nga Kosova, Petrit Halilaj, ka marrë ftesë dhe i është bashkuar si anëtar Akademisë së Artit Botëror në Köln të Gjermanisë, “Akademie der Künste der Welt”.

Në një prononcim për KultPlus, Halilaj u shpreh shumë i lumtur për ftesën e pranuar që t’i bashkohet kësaj akademie.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë i nderuar që jam ftuar të bashkohem në Akademinë e Künste der Welt (Akademia Botërore e Arteve) në Köln, Gjermani.

Ai shpjegon se do të jetë anëtar i kësaj akademie për pesë vitet e ardhshme.

“Është një nder i madh të kem mundësinë t’i bashkohem këtij grupi shumë të vlerësuar për pesë vitet e ardhshme dhe jam i emocionuar të kontribuoj në vizionin, programin dhe aktivitetet e Akademisë”, thotë ai tutje.

Procesi për anëtarësim në këtë akademi vjen në formën e nominimit nga anëtarët aktual, gjë për të cilën Halilaj është shumë mirënjohës ndaj Madhusree Dutta.

“Unë jam vërtet mirënjohës për Madhusree Dutta që më rekomandoi t’i bashkohem këtij instituti të mrekullueshëm. Mezi pres rrugën përpara, ku dua t’i shtoj edhe më shumë dialogut dhe projekteve ekipore që përfaqëson Akademia Botërore e Arteve,” u shpreh artisti nga Kosova.

Ftesa e akademisë drejtuar Halilajt për t’u anëtarësuar ishte jo vetëm një privilegj për të, por edhe një shenjë për arritjet e tij në fushën e artit modern. Arti i tij ka marrë njohje për të qenit inovativ, i ndjeshëm dhe në kohë, si dhe për aftësinë e tij për të shndërruar përvojat traumatike në bukuri të përjetshme.

“Trauma” që shfaqi talentin

Kur Petrit Halilaj pa për herë të parë mizoritë e luftës së Kosovës, ai ishte vetëm 13 vjeç. Ai dhe familja e tij u detyruan të largoheshin nga fshati i tyre kur ushtarët serbë i vunë flakën dhe të kërkonin siguri në një kamp shqiptar. Atje, ai zbuloi skicimin si një mekanizëm përballues për tragjedinë e tij.

Halilaj pikturoi përshkrime realiste të brutalitetit që kishte parë, si dhe zogjve dhe luleve që kishte ëndërruar duke përdorur letra dhe stilolapsa me majë që iu dha nga një psikoterapeut italian. Kofi Annan, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, vuri re pikturat e tij dhe bëri një vizitë në kamp për të njohur aftësinë e tij.

Përmes lapsit, drejt udhëtimit nëpër botë

Karriera e tij krijuese, e cila e ka çuar atë në disa nga vendet më të njohura të botës, duke përfshirë Bienalen e Venecias, Muzeun e Ri në Nju Jork dhe Muzeun Hammer në Los Anxhelos, filloi me disa vizatime e skica të thjeshta, nëse mund t’i quajmë ashtu. Arti i Halilajt shqyrton çështje të identitetit kulturor, kujtesës dhe pavarësisë.

Rindërtimi i shtëpisë së prindërve të tij ishte një nga projektet e tij më të njohura, të cilin e shfaqi në vitin 2010 në Bienalen e 6-të të Berlinit. Shtëpia e tij ishte ndërtuar nga metali dhe druri i hedhur nga fshati i shkatërruar dhe ishte i mbushur me kujtime dhe fotografi.

Për të promovuar ndërveprimin dhe shkëmbimin krijues ndërkulturor, “Akademie der Künste der Welt” është një organizatë kulturore me qendër në Köln, Gjermani. Duke pritur një sërë ngjarjesh, ekspozitash dhe seminaresh që eksplorojnë diversitetin kulturor, migrimin, globalizimin dhe shqetësimet socio-politike, ky institucion synon të shtyjë kufijtë e artit modern. Për të zhvilluar mendimin kritik dhe mirëkuptimin kulturor gjithëpërfshirës, Akademia ofron një forum për artistët, studiuesit dhe praktikuesit e kulturës që të punojnë së bashku për të adresuar shqetësimet globale nëpërmjet arteve.

Ekspozita e fundit e Halilajt është hapur në Gjenevë të Zvicrës, me titullin ‘Histori të papërfunduara, shumë vullkanike mbi këtë pendë jeshile’. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 17 shtator të viti 2023. /KultPlus.com

Të ngjajshme