Prekje dhe Kujtesë – Një ekspozitë që flet me baltën

25 Maj, 2025 - 11:16 am

Mbrëmjen e 24 majit 2025, Galeria ODA në Shkodër hapi dyert për ekspozitën e qeramikës “Prekje dhe Kujtesë” të artistes Laura Sllamniku Kryeziu, një rrëfim i thellë estetik dhe emocional që komunikon përtej fjalëve – përmes formave, teksturave dhe nuancave që jetojnë në dhe mbi sipërfaqen e baltës.

Kjo ekspozitë u kurua me shumë dashuri dhe përkushtim nga galeristja Rozafa Shpuza, duke sjellë një përvojë artistike të ndjeshme dhe të menduar me kujdes për publikun. Pritja nga publiku artdashës shkodran ishte jashtëzakonisht e ngrohtë dhe mirënjohëse, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të kujtesës dhe ndjeshmërisë.

Çdo vepër në këtë ekspozitë nuk është vetëm një objekt artistik, por një fije e kujtesës së ngulitur thellë në përjetësinë e kulturës, identitetit dhe shpirtërores. Nga “Dritë mbi hijet e kujtesës” tek “Relievi i Kujtesës” apo “Bluja e Kujtesës Sime”, përmes “Simbolit të një Trashëgimie të Paharruar”, ekspozita ndërton ura mes brezash, mes të kaluarës dhe të tashmes, përmes një gjuhe vizuale të qetë por të fuqishme.

Kujtesa, feminiteti, forca shpirtërore e gruas, shtresëzimi i kohës dhe shenjat që ajo lë mbi trupin e tokës, janë temat që përshkojnë këtë rrugëtim qeramik. Balta transformohet në një medium meditativ ku gdhenden ndjesitë, rrëfimet dhe kujtimet e heshtura – për t’u bërë zë i përbashkët i një përvoje njerëzore të ndarë por universale.

Laura Sllamniku Kryeziu, themeluese e Studio URA, sjell në këtë ekspozitë jo thjesht mjeshtërinë e saj si piktore dhe qeramiste, por edhe një filozofi krijuese që e sheh artin si një udhëtim të thellë brenda vetes dhe kujtesës kolektive. Ekspozita mbetet e hapur për publikun gjatë ditëve në vijim në Galerinë ODA, Shkodër. /KultPlus.com

Të ngjajshme