Prezantohet propozimi i konceptit për Muzeun e Artit Bashkëkohor, Halilaj: Do të jetë muzeu më i mirë në botë

26 Tetor, 2023 - 12:09 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë, Këshilli Iniciues në përbërje me Yll Rugovën, Zake Prelvukën, Sislej Xhafën, Flaka Halitin, Petrit Halilajn, Fisnik Abazin, Nita Salihun dhe Valdete Pacollin kanë iniciuar një koncept dokument për ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, i cili është menduar të realizohet në ndërtesën e aneksit të ish-Rilindjes, shkruan KultPlus.

Në ambientet e menzës Ramiz Sadiku, në mesin e shumë artistëve dhe artdashësve  është prezantuar një koncept dokument për ndërtimin e një institucioni të veçantë që mëton të jetë pjesë integrale e një rrjeti artistik global, i cili krijon një platformë për dialog ndërkombëtar dhe shkëmbim ndërkulturor në kryeqytet.

Muzeu i Artit Bashkëkohor në Kosovë (MABK) konsiderohet të jetë një platformë e bazuar te idetë e artistëve aktual të skenës së artit modern të vendit mbi besimin në fuqinë transformuese të artit, të artistëve dhe komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog.

Në fillim të kësaj ngjarje, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, theksoi që në një vend i cili vazhdimisht ka prodhuar art dhe kulturë duke prekur majat e sukseseve ndërkombëtare, ka qenë e qartë mungesa e një institucioni të tillë, duke e cilësuar të domosdoshme ndërtimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor.

“Duke marrë parasysh natyrën komplekse të një institucioni të tillë mënyra më e suksesshme për të nisur e ndërtuar atë ishte që të vinte nga vetë komuniteti. Në këtë mënyrë me shumë këmbëngulje kemi arritur që të krijojmë një Këshill Iniciues të përbërë nga disa prej emrave më të çmuar të skenës së artit bashkëkohor dhe modern të Kosovës, të cilët tash e një vit kanë punuar pa ndalur për të krijuar një propozim të plotë se si duhet të duket Muzeu i Ardhshëm i Artit Bashkëkohor i Kosovë”, tha Ceku i cili tutje tregoi se këshilli iniciues gjatë këtij viti ka pasur takime të përjavshme, vizita studimore, punëtori të gjata disa ditore, konsultime të organizuara me komunitetin artistik siç ishte rasti me organizimin e simpoziumit vitin e kaluar dhe në këtë formë kanë rezultuar me një punë shumë të çmuar me fillimin e konkretizimit të saj do t’u shërbejë artistëve, qytetarëve, të rinjve, të rejave, vizitorëve dhe edukimit të përgjithshëm kulturor.

Më tutje Çeku bëri të ditur se Muzeu i Artit Bashkëkohor, pritet të themelohet ligjërisht sot, me Projektligjin për Artin dhe Kulturën në Kuvendin e Kosovës.

“Në momentin që do të themelohet edhe ligjërisht Muzeu i Artit Bashkëkohor, atëherë Ministrisë së Kulturës i mbetet të ofroj të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbatuar në realitet propozimin e krijuar nga Këshilli Iniciues”.

Më pas kryesuesi i Këshillit për Inicimin e Muzeut, Yll Rugova përmes një prezantimi bëri paraqitjen integrale të muzeut duke përfshirë propozimin ideor e programor, konceptin e koleksionit, konceptin arkitektonik e atë të lokacionit.

“Në një ndërtesë si aneksi i Rilindjes, MAB do të merr mbi supe jo vetëm koleksionimin dhe ekspozimin e artit bashkëkohor por gjithsesi do të shërbente edhe si projekt flamurtar në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shërbyer si një bërthamë qendrore për gjithë trashëgiminë e lëvizshme të vendit, përfshirë krijimin e kuadrove profesionale, arkivimin, konservimin dhe riparimin e eksponateve nga koleksionet e ndryshme të vendit. Për më shumë, MAB do të shërbente si një bërthamë përbashkuese për shumë iniciativa burimore të kulturës, artit e trashëgimisë që në njëfarë mënyre ose tjetrën aktivitetin e lidhin me aneksin e ish-Rilindjes”, ka thënë Rugova.

Ai më tej bëri të ditur se MABK do të ketë buxhet të veçantë vjetor, komision që përcakton blerjet vjetore të veprave.

“Muzeu i Artit Bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe do të krijonte një strukturë të re institucionale e cila do tu përgjigjej nevojave të sotme të artit. Krahas, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ky muze do të ndërtonte kuadro të reja profesionale me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë pamore dhe mbledhjen e ruajtjen e veprave të artistëve bashkëkohor vendor dhe ndërkombëtar. Tutje do ta krijojmë një hapësirë më novatore dhe akomoduese për praktika të reja institucionale, të cilat do të mund të barteshin nëpër institucionet e tjera të vendit që kanë profil të njëjtë apo të ngjashëm”, ka thënë Rugova.

Pas këtij prezantimi në skenë dolën të gjithë anëtarët të cilët përmes një pune një vjeçare me takime të shumta kishin arritur deri te hartimi i një projekt-propozimi të tillë, për një diskutim të hapur me të pranishmit që ishin të shumtë në numër.

Fjalën i pari e mori artisti Sislej Xhafa i cili në një përgjigje mbi pyetjen se çka do të ndodhte me makinerinë dhe arkivin e gazetës Rilindja, ai tha se do të kenë një hapësirë të veçantë në këtë objekt pasi një trashëgimi e tillë si ‘Rilindja’ cilësohet boshti i rezistencës dhe si e tillë është pjesë e identitetit të cilin si artistë po ëndërrojnë ta mishërojnë me të ardhmen.

“Për ne si bord nuk është kjo vetëm si përvojë e kërkimit të hapësirës së muzeut, por kjo është emocion. Po flasim për një ndërtesë ku ka një histori, trashëgimi, ku ka dhe një të ardhme. Sa i përket aspektit fizik të makinave sigurisht do ta kenë një hapësirë të veçantë brenda në Rilindje. Ndërsa sa i përket konceptit të muzeut, ne nuk kemi ardhur vetëm të bëjmë një ndërtesë, por kemi ardhur me një pasqyrim të ditëve të sotme, duke e pasqyruar Rilindjen si një mishërim i një rezistence kohore, ku ne na ka ndihmuar sot të ekzistojmë si identitet, është i padiskutueshëm, i pamohueshëm”, tha Xhafa duke potencuar se Rilindja është rezistencë dhe gjithmonë është prezente.

“Arti është një rezistencë kohore, krijon lidhje, është e pamohueshme për të krijuar të ardhmen pa e definuar edhe të kaluarën e duke e inkorporuar të kaluarën”.

Artisti më tej tha se krijimi i një projekt-propozimi të tillë, për të personalisht ka qenë shumë sfidues pasi për të krijuar një gjë të tillë është dashur të paraqitej e tërë filozofia e tij si artist për të dhënë diçka unike e cila në vetvete prodhon ‘kohë të vet’ të ndryshme nga ajo e realitetit ekzistues.

“Ka qenë një ndër sfidat më të vështira për mua. Kështu që ka qenë njëfarë sfide konstante për shkak se sfida me kohën nuk është vetëm sfidë racionale e mendimit për të dorëzuar një dokument, por ka qenë sfidë me vetveten për shkak se ky muze nuk do të jetë vetëm një muze arkitektonik, por koncepti, filozofia, është një udhëtim një udhërrëfyes për të shpikur një ‘kohë të vet’. Si artet, artistët me veprën e tyre në mënyrë të pavetëdijshme shpikin një ‘kohë të vet’”, ka thënë artisti duke vazhduar t’i falënderoj të gjithë artistët për artin e tyre duke thënë që ata janë shtylla kryesore që bëri të iniciohej ky lloj muzeu.

Ndërsa Flaka Haliti tha se makinat dhe arkiva e Rilindjes do të jenë pjesë e Muzeut, në të cilat pjesë, përveç artistëve do të mund të kenë qasje edhe gazetarët e gjuhëtarët.

“Makinat ose arkiva e Rilindjes ka me qenë pjesë integrale e organogramit, arkitekturës, koleksionit. Makinat dhe arkiva do të bëhen pjesë integrale e atij hulumtimi, ku jo veç artistët por edhe gazetarët dhe gjuhësorët kanë qasje në ndërtesë për të hyrë dhe për t’i parë ato materiale dhe për t’iu përgjigjur atyre materialeve në ndërtimin e atij identiteti që ka histori, dhe ne jemi duke krijuar të ardhmen duke u bazuar në to”, ka thënë Flaka Haliti.

Për rëndësinë e makinave dhe materialit arkivor foli edhe Erëmirë Krasniqi e cila tha se janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka një trashëgimi e tillë si ajo e Rilindjes.

“Makinat janë pjesa kryesore, jemi shumë të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me një aset të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore”, tha ajo.

Përderisa krejt në fund fjalën e mori artisti Petrit Halilaj i cili tha se nëse këtij projekti do t’i jepej drita e gjelbër për realizim do të jetë Muzeu më i mirë në botë.

“Sot e kemi vizituar hapësirën, ky është vetëm propozimi jonë por nëse ky muze aprovohet do të jetë muzeu më i mirë në botë”, përfundoi Halilaj, për t’i lënë radhë një bashkëbisedimi nga afër artistëve dhe të gjithë të pranishmëve me një koktej rasti për të biseduar gjerë e gjatë në një tre orësh të rezervar.

Sot, me projektligjin për artin dhe kulturën pritet që ky inicim të lexohet në votim të parë në Kuvendin e Kosovës nga ku edhe pritet që ligjërisht të hidhen themelet e Muzeut të Artit Bashkëkohor. / KultPlus.com

Të ngjajshme