Qyteti dhe fshati, në fondet e rralla etnografike në ekspozitën “Lindja”

20 Dhjetor, 2017 - 9:56 am

Ekspozita etnografike “Lindja” u çel pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duke prezantuar fondet e rralla. Me kuratore Ermela Broci ekspozita vjen në kuadrin e ditëve të albanologjisë, dhe me rastin e 70-vjetorit të themelimit të sektorit të etnografisë. Ekspozita me fondet etnografike ndahet në dy pjesë, fshati dhe qyteti.

“Lindja” sipas kuratores Ermela Broci është e para që nis për ciklet e jetës, për të vijuar më pas dhe me martesën e vdekjen. “Ciklet e jetës që nisin me lindjen, do të vijojnë më pas me ekspozita të tjera të jetës së njeriut. Një cikël ekspozitash që ka filluar këtë vit me lindjen dhe do të vijojë në vitet në vijim me martesën dhe me vdekjen, ndoshta do të kemi dhe ekspozita të tjera që lidhen me ciklet e jetës, siç mund të jenë ritet, por do të jemi në varësi të fondeve”, pohon kuratorja Brocaj.

Një ekspozitë me fondet e rralla etnografike që prezanton për publikun djepe, mbulesa, të punuara në materiale të ndryshme, por dhe të qëndisura me fije ari. Gjithçka që tregohet është e ndarë për pjesën e qytetit dhe fshatit dhe sipas kuratores janë objekte që datojnë nga fundi i shekullit të 19 dhe fillimi i shekullit 20.

“Në ciklet e jetës ne kemi ekspozuar djepin, që është karakteristikë e lindjes, por djepe të qytetit dhe të fshatit. Por të objektet e tjera te pjesa e qytetit janë punime me ar dhe argjend dhe e kemi përfaqësuar me Prizrenin, Shkodrën dhe Korçën. Gjithashtu kemi dyshekë fëmije, ndërsa për Tiranën këllëfë jastëku, por dhe materiale të tjera nga fondet etnografike. Në objektet e pjesës së fshatit është përfaqësuar Hasi, Korça, Zadrima, dhe Kosova. Kemi lidhëse djepash, kokore, mbulojë djepi etj. Fshati nga qyteti ndryshon nga përdorimi i motiveve, që ka karakteristikë”, shprehet kuratorja e ekspozitës “Lindje”.

Kuratoja tregon më tej se këto objekte përdoren për arsye të studimit. “Janë objekte të fondeve etnografike më shumë për arsye studimi dhe janë pjesë e institutit dhe nuk ekspozohen shumë. Etnografia ka fonde të pasura. Ne kemi dy pjesë, që është i ndarë fondi dru- metal dhe ai tekstil- lesh. Fondet datojnë nga fundi i shekullit të 19 dhe fillimi i shekullit të 20. Një problem është që të kemi më shumë mundësi për të pasuruar fondin me objekte, sepse u bënë vite që nuk po blihen”, shton më tej kuratorja Ermela Broci. Ekspozita është në kujdesen shkencore të Afërdita Onuzi dhe me ndihmën e arkivisteve Vilma Nallbani dhe Migena Dukagjini.

Fondet në materialet etnografike

Ky arkiv ka dy pjesë, fondin e përzier dhe fondin tekstil-lesh. Në fondin e përzier ka 8.785 objekte dhe në fondin tekstil-lesh 12.597 objekte. Disa prej objekteve të këtyre dy fondeve janë mjaft të hershme. Pjesa më e madhe janë kryesisht objekte të periudhës 1850-1980. Shumica e objekteve janë të ekspozueshme.
Ka një koleksion të pasur të veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të vendit, të tekstileve të leshta, të pambukta e të mëndafshta, koleksione të pasura të punimeve artizanale, të argjendit, të instrumenteve muzikore, objekte druri, metali, balte, të cilat dëshmojnë tradita të kulturës materiale ndër shekuj, shkruan Sot News. Ka përfunduar në vitin 2017 digjitalizimi i të dy pjesëve të fondeve etnografike. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit është institucion shkencor i Akademisë së Studimeve Albanologjike. Fillimet e punës shkencore institucionale në fushën e etnologjisë dhe folklorit i takojnë fundit të viteve ’40.

Në vitin 1947 krijohet Instituti i Shkencave në Tiranë. Që me krijimin e tij kishte një grup punonjësish, të cilët merreshin me studimin e trashëgimisë kulturore në fushën e etnologjisë dhe të folklorit, fusha për studimin e të cilave më vonë krijohen sektorët përkatës. Meritë e veçantë në studimet etnologjike dhe folklorike të fillimit u takon etnologëve të vjetër Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji dhe folkloristit Qemal Haxhihasani./ KultPlus.com

Të ngjajshme