Alban Muja, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci, pjesë e ekspozitës “Travellers” në Estoni

8 Gusht, 2017 - 7:46 pm

Arbër Selmani

Titulli i ekspozitës është ironik. Flitet për udhëtimin në një regjion ku liria e udhëtimit ka qenë, deri vonë, një luks i të pasurve.

Revolucioni i vitit 1989/1991 dhe hapja ndaj procesit të globalizimit botëror lejoi qytetarët e bllokut të Lindjes lëvizje personale në përmasa që nuk ishin dëgjuar deri atëherë.

Një ekspozitë me titullin “The Travellers” (Udhëtuesit) merret me efektet e udhëtimit dhe problematizon tensionet që lindin në mes të poetikës së përvojës së udhëtimit dhe situatës politike që e kushtëzon atë.
E kjo ekspozitë do të ketë brenda vetes, midis artistëve tjetër, tre shqiptarë. Alban Muja, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci do të shpalosin inspirimin e tyre rreth udhëtimit, në një formë a tjetrën, brenda ekspozitës në fjalë ku janë mbledhur artistë të ndryshëm botërorë.

Magdalena Moskalewicz është kuratore e ekspozitës që hapet me 25 gusht në Kumu Art Museum në Tallin të Estonisë.

Muja në këtë ekspozitë do të paraqitet me punën artistike “My name their city”. Njerëz të rëndomtë mbajnë në duar fotografinë e qyteteve, emrat e të cilëve në fakt janë edhe emrat e këtyre individëve.
Saranda mban në duar fotografinë e plazhit të Sarandës, Miloti mban në duar fotografinë e Milotit shqiptar, Butrinti, Shkodrani, Gjirokastra. Të gjithë janë qytetarë të Kosovës por me emra të qyteteve të Shqipërisë. Emërimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, buron nga faktorë tjerë. Si për shembull, pamundësia e shqiptarëve të Kosovës të udhëtojnë drejt çka ata ndjenin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët – çka edhe ushqej ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë.

Sislej Xhafa, artist tjetër i njohur shqiptar, do të jetë i pranishëm në ekspozitë me “Sunshade”, punë e vitit 2011-të. Një ombrellë plazhi tregon fallcitetin shpesh të pushimeve që duhet përfunduar me çmime të ulëta. Një tokë e premtuar në mënyrë hipotetike.

Ndërsa Adrian Paci në ekspozitën “Travellers” vjen me video instalacionin “The Column”. Puna tanimë është e njohur pasi është ekspozuar e transmetuar në ekspozita të ndryshme, ndërsa rrëfen rrugëtimin nga Kina në Itali, derisa krijohet një kolonë klasike.

Sipas vetë artistit, ideja për këtë instalacion ka lindur nga strategjia e egër ekonomike, ku koha kondensohet deri në pikën kur shpërndarja përputhet me konceptin prodhim.

24 artistë nga ish Blloku Sovjetik dhe Jugosllavia e dikurshme do të tregojnë në këtë ekspozitë se si njerëzit, të mirat dhe idetë e kësaj pjese fluturojnë për në vendet tjera nëpër botë. Të qenit refugjat, të qenit me pushime, mbyllja e kufijve në Luftën e Ftoftë, janë disa prej temave që do të jenë pjesë e ekspozitës në fjalë.
Pos artistëve shqiptarë, emrat si Adéla Babanová, Daniel Baker, Olga Chernysheva, Wojciech Gileëicz, C.T. Jasper & Joanna Malinowska, Flo Kasearu, Karel Koplimets, Tímea Anita Oravecz, Vesna Pavlović, Dushko Petrovich, Janek Simon, Radek Szlaga & Honza Zamojski, Maja Vukoje janë pjesë e ekspozitës. / KultPlus.com

Të ngjajshme