Realiteti i grave në Kosovë erdhi si dialog mes punimeve të Mjellma Gorancit e Shqipe Kamberit (FOTO)

18 Qershor, 2018 - 11:01 pm

Për dy javë adhuruesit e artit pamor, veçmas të punimeve të piktoreve të njohura Shqipe Kamberi e Mjellma Goranci, do të kenë mundësi ta shohin punën e tyre të ekspozuar në Galerinë “Monet”, dhe ato punime edhe mund t’i marrin me vete me çmimet e vendosura poshtë tyre, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Punimet e tyre janë ekspozuar në vende të ndryshme, por sonte ato janë bashkuar në një galeri të vetme, ku tërhoqën mjaft vizitorë. Ata që kanë parë qoftë edhe vetëm një punim të artisteve Kamberi e Goranci e identifikojnë lehtë autoren, e pikërisht përmes vijës identifikuese sonte patën mundësi ta gjejnë një urë komunikimi mes asaj se çfarë ato trajtojnë. Subjekt i të dyja punimeve është gruaja, veçse përmes stilit të tyre ajo lëviz në trajta të ndryshme duke prekur një pjesë të realitetit e historisë së tyre në shoqërinë kosovare.

Mënyra se si ato i kanë portretizuar e ngjyrat i bëjnë fort të dallueshme. Punimet e Gorancit vijnë përplot kolorit, ndërsa kufizohen me korniza ngjyrë ari, detajet e gruas aty vijnë e theksohen qoftë përmes flokëve, vatheve, e qafës së zgjatur, ato janë përherë në lëvizje brenda kornizës përmes se cilës Goranci i ka vendosur ato në ambiente të ndryshme, duke reflektuar edhe aktivitetin e tyre shumëdimensional brenda shoqërisë. Sytë e tyre janë përherë në kërkim. Bie fort në sy një pikturë që e paraqet gruan që për trupi shtrëngon fëmiun gjatë procesit të gjidhënies.

Mjellma Goranci thotë se portreti i modelit të gruas paraqet një cikël në vazhdimësi në këtë ekspozitë, gruaja në pikturën e saj flet për gruan sot, për krenarinë e sakrificën që ajo mbart. Mbi të gjitha, pikturat e saj nuk janë ikja nga vetvetja, por janë pasqyrim i përditshmërisë e brendësisë së saj.
Përveç portreteve të veçanta, në mesin e punimeve të saj edhe punime të cilat sjellin një gjallëri ngjyrash përmes luleve e ngjyrave të ndezura.

“Përveç bukurisë e krenarisë, portretet e punimeve të mija prapa kanë edhe problemet që gratë i hasin çdo ditë. Veprat e mija flasin më shumë për atë që nuk shihet se sa për atë që shihet. Unë e paraqes gruan kosovare që duket mirë, është krenare, sakrifikon për mirëqenien e familjes. Portretet e mija flasin për gruan që konkurron për karrierën e vet, është shumë e angazhuar, ka shumë përgjegjësi të cilat shpesh ia kushtëzon edhe shoqëria, për t’u martuar, të krijojë familje, të jetë e zonja e shtëpisë, të kujdeset për fëmijë e konkurron me një mashkull që ka shumë më pak ngarkesa”, tha Goranci.
Në mesin e shumë miqve e kolegëve, në këtë ekspozitë ishte dhe piktorja Zake Prelvukaj. Ajo për KultPlus u shpreh se e çmon fort sinqeritetin me të cilin Goranci e paraqet veten e problemet e përditshme të grave, ndërsa arrin që materialet dekorative t’i përdor me mjeshtëri.

“Mjellma e ka një lloj kolazhi e dekoracioni që din ta përpunojë, pasi nganjëherë materialet dekorative e shkatërrojnë pikturën. Por kjo ka aq forcë që e bën shumë mirë dhe me pëlqen shumë piktura e saj, pasi e trajton edhe vetveten. Artisti shpesh ik nga vetja por kur i sheh pikturat e saj e sheh që i trajton problemet e gruas. Këtë e bën në mënyrë shumë të sinqertë”, u shpreh Prelvukaj për KultPlus.

Ata që e kanë shijuar ekspozitën “Vetëdija, dikur dhe sot” të Shqipe Kamberit veçse e dinë stilin e saj, përmes të cilit kanë takuar historinë e grave shqiptare. Përmes këtij stili unik,vizitorët sonte patën mundësi ta prekin realitetin e gruas në një kohë tjetër. Përmes së bardhës, ajo ka bërë ndërlidhjen me gratë që tashmë kanë dëshmuar veten.Shikimi i tyre i mpirë ka hije të së kaluarës e tradicionales, ndërsa me një stoitet qëndrojnë në të tashmen përmes ngjyrave të ndritshme. Lulet në kokën e tyre e thyejnë bardhësinë, e sikur kanë qëndisur një hijeshi në vepra, motiv i cili ka një lidhshmëri me fëmijërinë e autores.

“Punimet janë të stilit të njëjtë të ekspozitës paraprake. Por atëherë i kam pasur gratë e diskriminuara por këtu janë të emancipuarat. Do të thotë çikat që po ja zbardhin fytyrën Kosovës. Këto me lule janë të mbulesave të jastëkut ku kam fjetur si fëmijë. Unë gjithmonë kam bërë ato që kam dashur dhe kam dashur të tregoj se ku jam sot. Kjo është një mënyrë e imja që reflektoj përballë një realiteti. Këtë radhë nuk kam përdorur ngjyra tjera. E kam lënë të bardhen që të jetë më e ndritshme dhe të paraqiten më pozitive. Këto janë gra shqiptare”, tregoi Kamberi për KultPlus.

Ndërsa më tutje Zake Prelvukaj theksoi se e njeh shumë mirë punën e të dyja artisteve, dhe tha se e vlerëson shumë ambicien e tyre për ta paraqitur gruan në shoqëri. Ajo tha se Shqipja edhe arrin ta trajtoj realitetin e grave duke përdorur edhe materiale tradicionale.
“Shqipja ka një relief ku përdor materiale tradicionale. Askush nuk ka etnos më të pasur se ne pasi dallon nga fshati në fshat. Më pëlqen që ka zgjedhur diçka tradicionale dhe ua ka dhënë një emblemë të gjithave nëpërmjet fytyrës”, u shpreh Prelvukaj.

Komunikimi i shpeshtë për tema nga më të ndryshme ndërmjet Gorancit e Kamberit që numërojnë disa vite shoqëri, dëshmohet edhe përmes motivit të veprave të tyre. Preokupimet e tyre janë të përbashkëta.Si të tilla punimet e tyre veçse e plotësojnë mozaikun e realitetit të gruas.

“Unë dhe Mjellma jemi shoqe shumë të mira. Bashkë debatojmë dhe trajtojmë çështjen e grave. Kjo ekspozitë është një debat mes punimeve tona”, u shpreh Kamberi lidhur me ekspozitën e tyre të përbashkët. Ndërsa Goranci e theksoi se edhe kjo ekspozitë reflekton dialogun e tyre të përbashkët, e temat me të cilat ato preokupohen.

“Në këtë ekspozitë jemi bashkuar për një arsye, pasi që e kemi parë një dialog të përbashkët, me Shqipen jemi shoqe shumë të mira dhe na preokupojnë të njëjtat probleme, të njëjtat motive na inspirojnë. Duket sikur edhe Galeria e ka vërejtur këtë dialog mes punimeve tona andaj dhe ne e kemi mirëpritur”, tha tutje Goranci. Ekspozita me punimet e Shqipe Kamberit e Mjellma Gorancit, do të qëndroi e hapur edhe për dy javë në Galerinë “Monet”./KultPlus.com

Të ngjajshme