Rexhep Ferri dhuron dy vizatime për Galerinë Kombëtare të Kosovës, dedikim për muzeun e harruar

24 Janar, 2018 - 3:52 pm

Dje, më 23 janar, koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës, u pasurua me dy vizatime të dhuruara nga akademik Rexhep Ferri.

“Portreti i Pjetër Bogdanit” (1986) tush në letër, dimensionet 70x100cm dhe “Portret i dyfishtë” (1985) , tush në letër dimensionet 100×70 cm, janë vizatimet që akademik Ferri i dhuroi GKK-së.

Me këtë rast, akademik Ferri, tha se gjatë këtyre 18 viteve pas luftës së fundit është harruar ideja dhe dëshira që edhe Kosova të ketë institucionin më të lartë të arteve pamore, Muzeun e Artit Bashkëkohorë, e sipas tij, me këtë rast ai i fali për këtë koleksion dy vizatime.

“I fala këto vizatime për Muzeun që është harruar, për të cilin para 30 viteve janë mbledhur e blerë shumë vepra të cilat tani gjenden në deponë e Galerisë Kombëtare. Gjatë viteve të fundit kohë pas kohe flitej për Operën, por për Artet Pamore shumë pak… Një popull që nuk e mban gjallë traditën është humbës i madh”, ka thënë Ferri.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjidhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjidhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Ekspozita e tij e fundit e tapicerive në Akademinë e Arteve dhe Shkencave rikonfirmoi rëndësinë e tij si artist inderdisiplinar, por edhe si personalitet dinjitoz, përfaqësues i trashëgimisë artistike të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme