Rihapet ekspozita ‘Quien’ e fotografes Majlinda Hoxha, përfshihen tregime personale të personave të komunitetit LGBTIQ+

18 Maj, 2024 - 11:39 pm

12 fotografi që shpalosin jetën e individëve të komunitetit LGBTIQ+ u risollën përmes ekspozitës “Quien”, të realizuar nga fotografja Majlinda Hoxha, më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, dhe Transfobisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Quien” e cila për herë të parë është hapur para dy vitesh në javën e krenarisë në Kosovë, krahas fotografive përfshinte edhe fragmente të tregimeve të personave LGBTI+, në të cilat tregoheshin sfidat, sukseset, vështirësitë e fitoret e individëve të këtij komuniteti.

Fjalimin hapës të kësaj ekspozite e mbajti gazetari Arbër Selmani, ku ndër të tjera shprehu mirënjohje për prezencën e të pranishmëve në hapje të kësaj ekspozite.

“Sot në këtë ditë shumë të veçantë në Ditën Ndërkombëtarë kundër, Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë e kemi hapur këtë ekspozitë. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe keni gjetur kohë. Kjo nënkupton shumë edhe për neve si CEL por edhe për Majlindën” ka thënë Selmani, për ti lënë radhën fotografes Majlinda Hoxha.

Fotografja Hoxha ka thënë se për të ka qenë shumë përvojë me rëndësi procesi i realizimit të kësaj ekspozite, nga ku është njohur nga afër me këto karktere si dhe me përvojën e tyre personale si persona të komunitetit LGBTI.

 “Ka qenë shumë me rëndësi për mua për shkak të personazheve dhe karaktereve që i kam takuar për të hyrë në jetën e tyre, e për të kapur momente të rëndësishme të jetës së tyre. Në atë kohë ka qenë një perspektivë tjetër, kurse sot e shoh më me shumë rëndësi për shkak se para 5 vitesh nuk kam qenë nënë, ndërsa tani jam. Kjo ekspozitë ka ardhur për fëmijët e së ardhmes për të qenë të lirë, me qenë kush janë” ka thënë fotografja Hoxha e emocionuar.

Ndërsa pjestari i CEL Kosova, Blert Morina ka thënë se ideja e kësaj ekspozite ka ardhur si nevojë që të shihet qartë jeta në baza ditore e personave të këtij komuniteti, jeta e të cilëve nuk dallon asgjë nga ajo e çdo individi të kësaj shoqërie.

“Kjo ekspozitë ka qenë e shfaqur edhe para dy vitesh gjatë javës së krenarisë. Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë dhe Transfobisë. nga ajo që kemi vërejtur gjatë diskutimit sidomos këto dy vitet e fundit për gjuhën e urrejtjes mjaft të përhapur si nga institucionet ashtu edhe nga shoqëria, e kemi pa të arsyeshme edhe një herë për ta rikthyer në skenë dhe me pa edhe një herë persona të tjerë nga afër portretizimin e personave LGBTI, në kuptimin që përmes kësaj ekspozite shihet qartë jeta në baza ditore e personave të ndryshëm që i përkasin komunitetit LGBTI. Kjo ka qenë ideja jonë që edhe një herë ta ftojmë publikun nga afër për të parë se si e zhvillojnë  jetën personat LGBTI në baza ditore në kuptimin që nuk dallon asgjë nga përditshmëria e çdo individi që është pjesë e kësaj shoqërie”, ka thënë Blert Morina nga CEL Kosova duke shpjeguar më tej idenë e realizimit të kësaj ekspozite.

“ Është një eksperiencë e paharruar. Unë e kuptoj që shpesh herë thuhet se ku janë ata persona, ku gjenden personat LGBTI, ku gjenden ata persona dhe përse nuk po i shohim në domenin publik. Ideja jonë është që përmes ekspozitave derisa të kemi hapësira të sigurta që personat LGBTI me u ndi rehat për të dal të paktën, me i përafëru përmes fotografive dhe me u familjarizu me persnat LGBTI”, ka thënë Morina.

Ai më tutje e dha edhe mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë për të qenë më pak diskriminues dhe paragjykues për secilin pjestar të shoqërisë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe Transfobisë dhe këtë vit motoja është “Barazi për të gjithë” prandaj mendoj që çdo njëri në këtë shoqëri mendoj që mund të luaj një rol duke i përfshirë të gjithë, duke mos qenë diskriminues dhe paragjykues por thjesht duke i lënë të tjerët të jetojnë ashtu siç  duan vetë”.

Ndërsa vizitori i ekspozitës “Quien” Ismail Cakolli- Semi ndau përshtypjet e tij për fotografitë dhe rrëfimet e personave të komuintetit LGBTI të përfshira në këtë ekspozitë.

“Është gjithmonë kënaqësi me qenë pjesë në ekspozitat që Majlinda i ekspozon. Pa dyshim është njëra prej fotografeve më të mira që kemi. Këto histori- karaktere po më pëlqejnë shumë që i ka përzgjedhur që t’i shfaqë sot në ekspozitë ku tregon atë luftën e vet, gjendjen e vet shpirtërore emocinale por në anën tjetër tregojnë sfidat me të cilat ballafaqohemi  ne si pjesëtar të komunitetit dhe si artistë pjesëtarë të kësaj shoqërie. Të gjitha  fotografitë janë të veçanta dhe është e rëndësishme që ne si komunitet por edhe si shoqëri për të pasur ekspozita të këtij lloji më shpesh, ku ekspozohen pjestarë të komunitetit të sferave të ndryshme”, është shprehur Semi.

Vizitori Cakolli e përfundoi fjalimin e tij me një mesazh për shoqërinë në përgjithësi.

“Jeto dhe lejoi të tjerët të jetojnë! Të respektojmë hapësirën private të tjetrit, dëshirat e  tjetrit derisa nuk ndërhyjnë në anën personale të askujt. Thjesht ka ardhur një kohë që duhet ta lejojmë me jetu tjetrin duke mos ndërhyrë në jetën e tij, nuk jemi ne askush për me ja ndalu tjetrit ose me i tregu se si duhet jetuar” është shprehur Cakolli./ KultPlus.com

Të ngjajshme