Rrënojat dhe mbetjet industriale të fabrikave të para vitit 1990, në ekspozitën “Vox Machina”

1 Nëntor, 2017 - 9:17 am

Ekspozita “Vox Machina” çelet sot për publikun te “Turbina”. Ekspozita si ide e artistit Sadik Spahija është kuruar nga Edi Muka, por projektit i janë bashkuar dhe emra të tjerë. Koreografi Gjergj Prevazi, kompozitorët Haig Zacharian, Endri Sina dhe Ramazan Gurra, organizatori Klod Dedja, etj.

Një ekspo-instalacion sonor dhe performancë nga trupa e baletit, fokusohet në trashëgiminë materiale konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbyllura të para vitit 1990. Ekspozita që çelet sot te “Turbina” vjen në vijim të projekteve të tjera të skulptorit Sadik Spahija.

Këto mbetje industriale të konsideruara nga artisti si produkt shoqëror me një kosto dhe tashmë si një dilemë ndërmjet asgjësimit dhe transformimit. Skulptori Spahija shprehet se projekti është konceptuar si një ekspo-strukturash industriale, apo objektesh sa konkrete aq dhe të abstraguara që mbartin më vete procese të tjetërsimit. Ekspozita sipas tij shtron pyetje mbi impaktin e industrializimit mbi qenien dhe emocionet tona, dhe mbi mënyrën se si ne e prezantojmë këtë në sjelljen ndaj produktit tonë.

“Një bashkëjetesë reciprokisht e programuar si një kompozante e konceptimit tonë ekonomik dhe social, që influencon në spektrin emocional njerëzor duke humbur apo, ndryshuar sjelljen dhe logjikën e të jetuarit në hapësirë. Këto objekte industriale me atribute psikologjike, të ngarkuara me memorie si vektor përvojash të kaluara dhe të tashmë, të ngarkuara me llojshmëri pikash përjetimi reflektojnë modelimin e imagjinatës tonë dhe evokojnë pasqyrimin e qenies tonë në produktin e përbashkët, si një tregues i sjelljeve tona sociale”, pohon artisti.

Objektet vendosen në një kontekst dhe funksion të ripozicionuar të trajtuara estetikisht dhe funksionalisht ndaj një qasje të re, si një ansambël orkestral që provokon dhe nxit spektatorin drejt reflektimit dhe integrimit të tij si pjesë e vet veprës.

“Njëkohësisht prania njerëzore në një sfond akustik të këtij instalacioni monumental, nxit sensibilitete të reja në zbulimin e marrëdhënieve të padukshme të objekteve me njeriun, duke mbështjellë një fluks objektesh plastike me një atmosfere sonore dhe me provokimin e trupit njerëzor”, vijon më tej artisti.

Performanca e baletit dhe muzika

Projekti është konceptuar si një bashkëveprim i shumë faktorëve njerëzor, ku integrohen jo vetëm eksperienca profesionale, por dhe përvoja njerëzore të mbartura në këto mbetje industriale. Gjatë ekspozimit kompozitori Haig Zacharian tha se ka krijuar një pjesë instrumentale në krijimin e tingujve organike që përkojnë me iluzionin vizual të instrumenteve muzikore monumentale, të krijuar nga relikat industriale. Gjithashtu një trupë baleti do të performojë sonte gjatë hapjes së ekspozitës te “Turbina” nën drejtimin e Gjergj Prevazit. “Vox Machina” vjen e kuruar nga Edi Muka, i cili pohon se një numër makinerish industriale janë shkëputur nga konteksti dhe funksioni i tyre fillestar pranë fabrikave të ndërtuara ndër vitet e regjimit komunist në Shqipëri. Sipas tij ato nuk janë thjesht objekte të gjetura, por objekte të shndërruara në mbartëse të një kumti në kohë. “Të vendosura jashtë hapësirës së galerisë objektet përftojnë cilësi monumentesh, por ndërsa monumentet përgjithësisht ngjizen si përkujtimore të një ngjarjeje, epoke apo personi, objektet e paraqitura nga Spahija shkojnë përtej çastit të përkujtimit. Ato janë kthyer në qenie me gjymtyre të kalcifikuara e zë hungëritës, një “Vox Machina” që na zhvendos në kohë përmes ideologjive të vjetra e të reja, që kontrolluan dhe kontrollojnë destinin tonë nga e shkuara komuniste në të tashmen globale, të mjegullt e pa trajta”, shprehet kuratori Muka. Ekspozita qëndron e hapur për publikun në datat 1 dhe 10 nëntor nga ora 18.00 deri në orën 21.00 te “Turbina”. Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës. (Marrë nga Sot News)./ KultPlus.com

Të ngjajshme