Sal Dashi me ekspozitë në Gjermani, kuratori Apolloni: Dashi ka gjendjen e vet, reagimin e vet, prandaj edhe stilin e vet

18 Qershor, 2025 - 1:29 pm

Në kuadër të Javës se Kulturës në Berlin është hap ekspozita e piktorit të njohur Sal F Dashi, e që për kurator kishte shkrimtarin e njohur kosovar, Ag Apollonin. 

“Mes nostalgjisë dhe revoltës”, ekspozita e Sal Dashit është hap në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin, hapje që është bërë nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. 

Ndërkaq, kuratori Ag Apolloni ka thënë se Sal Dashi kur trajton të kaluarën është nostalgjik, kurse po sipas tij, kur trajton të sotmen është i revoltuar dhe ironik.

“Edhe kur duket qëllimisht lokal, piktori Sal Dashi nuk mendon si individ i thjeshtë, por si artist. Ai është në gjendje që një copë tokë nga vendlindja ta artikulojë si thirrje për njerëzimin. Pas daljes nga ekspozita e tij, secili do të bëjë pyetjet: nga vijmë? Ku po shkojmë? Pas këtyre pyetjeve që do të bëjnë vizitorët, mund të thuhet se piktori e ka arritur qëllimin. Ankthi i tij bartet tek ne, bëhet yni. Kapja e kumtit dhe vetëdijesimi mbi identifikimin mes artistit dhe publikut, është realizim i suksesshëm i komunikimit dhe funksioni kryesor i artit”, ka vlerësuar mes të tjerash kuratori Apolloni për këtë ekspozitë. Apolloni në fund ka thënë se Sal Dashi ka gjendjen e vet, reagimin e vet, prandaj edhe stilin e vet. 

Sal Dashi (1980) është piktor shqiptar nga Kosova. Ka studiuar pikturën në Universitetin e Prishtinës, ku ka fituar titullin Master i Pikturës. Nga viti 2016, ai jeton në Gjermani. / KultPlus.com

Të ngjajshme