Salla koncertale do të ketë 1000 ulëse, Ramku: Projekti do të ruajë origjinalitetin e objektit

21 Prill, 2021 - 8:38 pm

Kengo Kuma & Associates nga Tokio dhe  OUD+Architects i përfaqësuar nga Bekim Ramku nga Prishtina, janë partnerët e projektit të sallës koncertale “Gërmia” në Prishtinë, të cilët edhe kanë dalë fitues në garën ndërkombëtare të shpallur nga Komuna e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Por Bekim Ramku ka njoftuar për KultPlus se në këtë projekt kanë edhe partnerë tjerë të inxhinierisë strukturale, makinerisë, akustikës dhe ujit, punë kjo që i është besuar ATTEC nga New York dhe ATTEC, ENMAR & SES Acoustics  nga Stambolli.

Arkitekti Ramku ka shpjeguar për KultPlus se pse e bën të veçantë këtë projekt, duke vënë theksin në fasadën kryesore të objektit.

“E veçanta e projektit është se projekti ynë e ruan të plotë fasadën kryesore të objektit të Gërmisë, për më shumë të gjitha fasadat e jashtme që nuk janë modifikuar së tepërmi në dekadat e fundit kthehen në pamjen origjinale të tyre. Pra nga çdo anë që shikohet objekti, pamja e tij do jetë ajo origjinale”, ka thënë Ramku për këtë projekt, që do të shënojë njëherit edhe sallën e parë koncertale në Kosovë, në këtë format më profesional. 

Ramku ka shpjeguar se projekti përfshinë dy salla koncertale, sallën e madhe që përfshinë 800 ulëse, dhe e dyta që dedikohet për koncerte të jazzit do të jetë me 200 ulëse, hapësirat tjera përcjellëse për ushtrime, dhoma individuale për muzicientë, menagjmentin, bari, restorani…

“Projekti respekton në plotësi elementet me vlerë të objektit, dhe në hyrjen kryesore të saj propozon një holl të ndërtuar me elemente të drurit, që është edhe materiali i preferuar i Kuma-san,  ku edhe gjendet hyrja për në sallën kryesore dhe galerinë e qytetit”, ka thënë Ramku, i cili ka treguar për KultPlus se sfiduese fillimisht ka qenë themelimi i këtij partneriteti mes Kosovës dhe Tokios, përkatësisht bindjes së arkitektit Kengo Kuma që të jetë pjesë e kësaj gare, pasi që, sipas Ramkut, dihet botërisht që arkitektët e mëdhenj nuk i preferojnë konkurset e hapura.

Mirëpo, pavarësisht faktit se ky projekt ka dalë fitues i garës, në këtë garë janë vlerësuar edhe dy projekte të tjera, ai me çmimin e dytë nga Shkëlqim Osmani, dhe me vendin e tretë projekti i Arbër Sadikit. Dhe si të tillë, të tre mund të jenë kandidatë potencial për këtë objekt, pasi që Komuna e Prishtinës, varësisht prej buxhetit mund të zgjedhë në mes këtyre tre projekteve.

Ramku ka thënë për KultPlus se personalisht si arkitekt nuk e vlerëson si të duhur këtë metodë, që pavarësisht vlerësimeve të propozimeve, të ketë hapësirë që mos të vendoset për projektin fitues./ KultPlus.com

Të ngjajshme