Së shpejti hapet ekspozita “Vibrant Life”, shpalos jetën e natës në Prishtinë

13 Qershor, 2022 - 5:00 pm

Më 17 qershor në ora 19:00 do të hapet ekspozita “Vibrant Life” në Galerinë Qahili në Prishtinë.

Kjo ekspozitë do t’i ofroj publikut një narrativë të jetës së natës dhe eventeve në Prishtinë përgjatë 16 viteve të fundit me anë të materialeve promovuese – posterëve, broshurave e ftesave të krijuara nga dizajnerët më të mirë në Prishtinë, Kosovë, rajon dhe Evropë. Përmes arkivit të këtyre materialeve promovuese ekspozita do të përcjellë storien legjendare të jetës së natës në Prishtinë gjatë 16 viteve të fundit nga NXT LVL.

Shumë artistë, organizime, evente, festivale, koncerte e kujtime të paharruara. Të gjitha këto do të rikthehen edhe njëherë përmes materialeve që janë përdorë e të cilat tanimë konsiderohen si kryevepra të asaj kohe.

Ekspozita do të përcillet me muzikë nga Uran B. dhe Leg Off, dy ndër artistët kryesorë të skenës elektronike në Prishtinë që 16 vjet më parë e deri më sot.

Qëllimi i projektit është të kombinohet krijimtaria vizuale e NXT LVL dhe të ekspozohet në Galerinë Qahili në formë ekspozite. Aktivitetet e shumta e ngjarjet e ndryshme prezantojë rrugëtimin e skenës së klubeve për 16 vjet përmes fletushkave, muzikës, festës, bashkëpunëtorëve, lojtarëve kryesorë të industrisë. Për më shumë se një dekadë, NXT LVL i dha kuptim jetës së natës duke festuar përmes muzikës dhe vallëzimit. Gjatë këtyre viteve, kishte një atmosferë magjepsëse në të gjithë qytetin duke marrë parasysh faktin se skena muzikore po ndërtonte një zhvillim të thellë dhe po krijonte rrënjët e saj në një gjatësi më të madhe e njëkohësisht duke u mishëruar me atë që aktualisht ekziston.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 5 korrik 2022. / KultPlus.com

Të ngjajshme