Shpresa Faqi përmes ekspozitës kthen mbrapsht rrugëtimin e ikjes gjatë luftës në Kosovë

8 Qershor, 2018 - 2:20 pm

Alberina Haxhijaj

Galeria Kombëtare e Kosovës mbrëmë ka mirëpritur artisten Shpresa Faqi. Ajo në ekspozitën e saj një ditore “Vozitja”, solli vizatimet e realizuara gjatës rrugës që ka bërë nga Gjermani për në Kosovës, shkruan KultPlus.

Publiku i cili ka vizituar dy ekspozitat e fundit në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka krijuar përshtypjen se oborri para galerisë është kthyer në një parking të veturave. Fillimisht një veturë ishte vendosur aty në kuadër të ekspozitës “Mjegulla” e cila po qëndron akoma e hapur në galeri e ku artisti Fatmir Mustafa-Karllo, pati vendosur një veturë e cila tymin që lironte e kthente përsëri brenda saj, ndërsa për një ditë në të njëjtin vend do të qëndrojë edhe vetura e artistes Shpresa Faqi.

Artistja veturën e saj e ka përdorur për ta paraqitur projeksionin e vizatimeve me tush në muret e galerisë, në kuadër të ekspozitës së saj një ditore, “Driving” (Vozitja). Një veturë e cila në rend të parë pasqyron statusin në shoqëri, apo edhe një mjet për të ikur nga një situatë jo humane por edhe për të zbuluar horizonte të reja.
Në projektin “Driving” artistja kthen mbrapsht procesin e ikjes nga Kosovë në Gjermani që e kishte përjetuar gjatë luftës së fundit, duke u nisur nga Kassel (D), në Bielefeld. Salzburg, Ljubljana, Zagreb, Sarajevë, Podgoricë dhe Ulqin (MNE), për të ardhur në Prishtinë.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku, tha se projekti i Shpresës i titulluar “Driving” jep theks të migrimi, pra zhvendosja si fenomen shoqëror që është aq i përditshëm për ne.
“Aq sa e njoh Shpresën ajo e urren që të quhet si një vajzë refugjatë , diçka që shumë media e kanë bërë e sidomos ato jashtë Kosovës. Mirëpo, më duhet ta pranoj se bash aty në vitin 1999 e ka fillin inspirimi i saj për të realizuar këtë projekt. Tregimi i saj nuk është as i dhimbshëm e as nostalgjik sepse në një formë ajo feston jetën dhe lirin e lëvizjes duke u kthyer në vendet që i ka parë me herë. Mirëpo kësaj herë duke i ripërjetuar ato nga pikëpamja e një artisteje që ka interesim të madh në humanitetin dhe relacionet ndër njerëzorë”, tha ajo
Në secilin vend ku artistja është kthyer ka komunikuar me njerëz duke e bërë këtë udhëtim pas në kohë dhe hapësirë, një udhëtim të shenjtë për të.

Një rrugëtim të cilin e paraqiti duke prezantuar vizatime e realizuar me tush përmes një projeksioni i cili reflektonte në muret e Galerisë dhe përmes relikteve (fellneve) të automjeteve që ka mbledhur gjatë udhëtimit.
Kapakët e rrotave të veturave paraqiteshin si relikte të statusit patriarkal, gjersa ishin ndotur nga artistja me llak thonjsh me ngjyra dhe ishin shndërruar në objekte të çuditshme muzeale me lule të pikturuara e të përshkruar me emërtime shkencore latine.

Artistja Shpresa Faqi, e cila u rikthye në vendlindje u shpreh e lumtur për ekspozitën dhe për mundësin që i është dhënë për të paraqitur punën e saj, pikërisht në vendlindje, destinacionin e fundit të udhëtimit të saj.
“Gjuha ime është arti pamor dhe unë flas me duar, në mënyrën sesi i bëjë vizatimet apo veprat e artit. Faleminderit për mundësin që më është dhënë për t’i prezantuar vizatimet e kësaj rrugë në galerie por edhe kapakët e rrotave, kështu që shijojeni ekspozitën”, u shpreh artistja ëmbël në gjuhën shqipe në hapje të ekspozitës.

Ekspozita “Driving” do të qëndrojë e hapur edhe sot gjatë gjithë ditës deri në ora 23:00 në Galerinë Kombëtare të Kosoëvs./ KultPlus.com

Të ngjajshme