‘’Shqiptarja’’ në sytë e artit francez

16 Korrik, 2025 - 10:30 am

Një nga veprat më të rralla dhe më domethënëse të Jean-Baptiste Camille Corot, mjeshtrit të peisazhit francez të shek. XIX, është pikërisht piktura me titullin “L’Albanaise” e njohur ndryshe si “Shqiptarja”, realizuar në vitin 1872. Kjo tablo përfaqëson më shumë se një grua me veshje tradicionale; ajo është një rrëfim i heshtur, një frymë estetike që Corot i ka dhënë formë në vitet e fundit të jetës së tij, në një kohë kur arti i tij kishte arritur pjekurinë shpirtërore dhe emocionale.

Në këtë portret, grua shqiptare nuk e sfidon shikuesin. Ajo nuk kërkon vëmendje, as nuk provokon. Ajo ul sytë në një pikë të heshtur, në një reflektim të brendshëm që tejkalon estetikën sipërfaqësore. Ky pozicionim i syve nuk është thjesht teknikë kompozicionale; është një gjuhë e nënkuptuar që flet për ndrojtjen, për përmbajtjen, për mendimin e thellë, për atë feminitet që Corot e përjetëson jo përmes sensualitetit, por përmes shpirtit të gruas si qenie medituese, shkruan KultPlus.

Corot, i njohur gjerësisht për peizazhet e tij të qeta dhe të përndritshme, përmes kësaj pikture tregon një aftësi të rrallë për të kapur thellësinë e portretit njerëzor. “Shqiptarja” është jo vetëm një figurë estetike me veshje popullore ajo është një arketip i shpirtit të përmbajtur, një portret i ndjenjës dhe introspeksionit. Veshja tradicionale, që në vetvete është e pasur me simbolikë etnike dhe kulturore, këtu bëhet pjesë e një universi më të madh emocional, duke mbështetur jo vetëm identitetin e personazhit, por edhe thellësinë e tij njerëzore.

Vepra është realizuar në vaj mbi kanavacë, me përmasa 74.1 x 65.6 cm, dhe ndodhet sot në Muzeun e Brooklynit, si pjesë e koleksionit të dhuruar nga Horace O. Havemeyer. Ajo është një nga pikturat e fundit të Corot-it, i cili ndërroi jetë vetëm tre vite pas krijimit të saj, më 1875.

Edhe pse Corot mbetet kryesisht një emër i lidhur me peizazhin klasik francez dhe paraprijës i impresionizmit, portretet e tij sado të pakta kanë ushtruar një ndikim të thellë në zhvillimin e artit modern. Artistë si Cézanne, Picasso apo Braque e kanë konsideruar Corot-in një figurë themelore që përçonte ndjeshmëri përmes thjeshtësisë, butësisë dhe përmbajtjes.

“Shqiptarja” nuk është vetëm një figurë që i përket një kombi; ajo është një refleksion i shpirtit njerëzor në momentin e vet më intim dhe më të ndjeshëm. Kjo pikturë nuk flet me zë, por me heshtje të ndjerë, duke na kujtuar se arti më i madh nuk është gjithmonë ai që buçet, por ai që rrënjoset thellë, në mënyrë të pashpjegueshme dhe të përjetshme./KultPlus.com/

Të ngjajshme