Shtëpia e piktorit Sali Shijaku, në proces restaurimi

14 Janar, 2021 - 10:04 pm

Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është në proces restaurimi.

Ministria e Kulturës në Shqipëri shprehet se ky proces ka nisur pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është një nga banesat karakteristike tiranase, monument kulture dhe sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa, restaurimi konsiston në zëvendësimin e traut kryesor, duke e punuar me metodat e vjetra të tharjes dhe të prerjes së trarëve, për të ruajtur elementët origjinalë të banesës, transmeton KultPlus.

“Faza e parë e restaurimit të çatisë do të vijojë me një fazë të dytë, që ka të bëjë me mbulesën e çatisë (hidroizolim, rregullimi i petravave, zëvendësim i tjegullave dhe dekorim i frizurës së jashtme të strehës së çatisë etj.) Restaurimit po i nënshtrohet dyshemeja në odën e zjarrit, por edhe element të tjerë, të hapësirës kryesore të banesës, deri te lyerja me gëlqere e saj. Po ashtu do të vendosen grilat dhe do të rregullohen dritaret në jug të banesës”, pohon ai.

Kjo banesë e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut.

Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa çmime republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”.

\Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com

Të ngjajshme