‘Shtëpia jonë’ e Shqipërisë hap dyert në Venecia

21 Maj, 2021 - 5:58 pm

Nga e enjtja, artistët shqiptarë i flasin botës artdashëse në Venecia me konceptin e fqinjësisë, siç kuptohet ndër shqiptarë. Por, evokimi i tij është universalist në dritën e një bote që po ngrihet nga gërmadhat e koronavirusit. Në anën tjetër, edhe Kosova me pavijonin e saj që e hap zyrtarisht të premten i mëshon një teme po kaq universaliste: urbanizimit global dhe krijimit të mjediseve të qëndrueshme

“Shtëpia jonë” i ka hapur dyert në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. I realizuar në kushte të pazakonta, pavijoni shqiptar shpalos vizionin e tij për fqinjësinë, i cili – në thelbin e tij – mbetet aktual edhe sot.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti. Në një afishim në faqen e saj në “Facebook”, ajo ka përgëzuar artistet kuratore, Fiona Malin, Irola Andonin, Malvina Ferrën dhe Rudina Breçanin, duke e bërë një pjesë të përvojës shqiptare pronë të të gjithë artdashësve.

“Gjithkush mund të hyjë në të jo thjesht si vizitor, por për t’u bërë pjesë e saj, ashtu si ne duam të japim e të marrim nga familja jonë e përbashkët evropiane”, ka shkruar Margariti, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së Pavijonit.

Ministrja e Kulturës e ka cilësuar mbajtjen e Bienales së njohur si një lajm padyshim të mirë, duke vlerësuar se është dëshmi që bota po hapet dalëngadalë.

“Pas një viti e gjysmë në një luftë absurde, të paparashikueshme me një virus, që ende e kemi mes nesh, po përpiqemi t’i kthehemi normalitetit”.

Duke folur mbi pavijonin shqiptar në Venecia, ajo ka thënë se koncepti vjen me një histori lokale të mbushur me copëza historish personale, për të ndërtuar atë mozaik që “ne e quajmë ‘fqinjëri’, një vepër në proces ku secili mund të vendosë copëzat e veta, eksperienca jete që kanë shënjuar jetën e secilit prej nesh”.

“Shtëpia jonë”, sipas Margaritit, nuk është një pavijon nostalgjik, por nxitje për reflektim mbi atë çka përbën vlerë, “mbi atë që duhet ta ruajmë apo rishikojmë nga e shkuara”.

“Gjatë pandemisë filluam të ridimensionojmë raportin tonë me shtëpinë si hapësirë, me të afërmit dhe fqinjët. Ky pavijon është një përgjigje për pyetjen e madhe të këtij edicioni: Si do të jetojmë së bashku?”, ka shkruar Margariti.

Në zemër të konceptit shqiptar, siç përmblidhet shkurt në një video përmbledhëse në kanalin zyrtar të Bienales në “Youtube”, janë skena nga filmi “Në shtëpinë tonë” të regjisorit Dhimitër Anagonsti më 1979.

“Tri apartamente fqinje që ndajnë shumë më shumë sesa veç muret. Pavijoni shqiptar do t’ju ngashënjejë të kridheni në kuptimin e të jetuarit bashkë në shtëpitë tona, në ndërtesat e lagjet tona”, thuhet në përshkrimin kuratorial për Shqipërinë në faqen “labiennale.org”.

Ndryshe, sipas kuratorëve, me 20 filma të kinemasë shqiptare, në Venecia do të jetë jo vetëm fqinjësia, por edhe kinematografia shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme