2 Maj, 2025 - 3:19 pm
Afrim Demiri
Fotografitë: Kushtrim Haxha
Mbrëmë në Galerinë e arteve në Gjilan, para artdashësve, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i kësaj komune Alban Hyseni, u hap ekspozita „Solidariteti si Rezistencë“ e piktorit Mentor Berisha. U ekspozuan punimet e ciklit të fundit të frymëzuar nga Falja e Gjaqeve
, në shenjë të përvjetorit të 35-të të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve gjatë vitit 1990 në Kosovë. Ky cikël pikturash shpalos rolin e këtij aksioni dhe të tubimeve masive si subjekte politike dhe rezistuese gjatë një prej periudhave më të ndjeshme dhe transformuese në historinë e Kosovës.
“Në qendër të këtyre punimeve qëndron figura e një kolektivi aktiv e me përmasa masive, i cili bëhet dëshmitar dhe bartës i vullnetit për ndryshim. Solidariteti qytetar, në veprat e Berishës, shfaqet përmes ngjyrave, shtresimeve dhe motivit të karvanëve në lëvizje, ku pjesëmarrësit udhëhiqen nga dëshira e thellë për falje dhe vetëdijesim, duke u bërë pjesë e një lëvizjeje popullore që sfidon rendin e vjetër të izolimit dhe gjakmarrjes”, theksonte kuratori i kësa ekspozite Alban Beqiraj, në katalogun e saj. Beqiraj kishte veçuar se “Përmes një qasjeje ekspresioniste, piktori Berisha përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike”.
Ekspozita përpos dhjetra pikturave u përcollë edhe me efekte dramatike të dritave, të muzikës dhe të instalacionit duke krijuar një hapësirë të rrallë ku vizitori kthehej në kujtesën e atyre ngjarjeve me plot emocion.” Dritat dhe ngjyrat e shtresuara përçojnë tensionin e çastit, dinamizmin e aksionit dhe gjallërinë e përbashkët që ngjizet në to. Kjo ekspozitë nuk është vetëm një kujtesë vizuale për të kaluarën, por edhe një formë alternative e eksplorimit dhe reflektimit mbi të”, përmbyllej fjala e kuratorit Beqiraj. Drejtori i DKRS-së Kushtrim Zeqiri, falënderoi autorin Mentor Berisha që kishte zgjedhur Gjilanin për ta hapur këtë ekspozitë, kurse drejtori i Galetisë së arteve Din Azizi, shpalli të hapur ekspozitën./ KultPlus.com