Sot 5 vite nga vdekja e piktorit Budim Berisha

8 Maj, 2018 - 11:30 am

Më 8 maj të viti 2013, kishte vdekur mjeshtri i njohur i pikturës Budim Berisha.

Sot mbushen plotë 5 vite që ky piktor i madh u nda nga jeta e të cilin sot e kujtoi miku i tij Fahredin Spahija.

Spahija, përmes rrjetit social Facebook, ka përkujtuar Budim Berishën, duke theksuar se shoqëria do të duhej të përkujdesej për këtë autor të veçantë vepra e të cilit është, pa asnjë dyshim, trashëgimia më e pasur nga fusha e arteve pamore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Po sjellim të plotë shkrimin e Fahredin Spahisë:

“Përkujtim
Për Budimin…
U bënë 5 vjet nga vdekja e piktorit emblematik, Budim Berisha. Si piktor e kisha njohur qysh kur isha student i Akademisë së arteve figurative në Universitetin e Prishtinës kurse nga afër e njoha në vitin 2010 kur nisi idea për ekspozitën e tij retrospektive në Galerinë e Arteve të Kosovës. Kjo njohje me artistin e madh dhe, për mua, ma të veçantin në trojet shqiptare u shndërua në një miqësi të sinqertë dhe të thellë…
Me Budimin kam shumë kujtime të bukura dhe të vlefshme. Ishte njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe teorisë së artit prandaj orët e kaluara me te dukeshin si minuta që fluturonin. Për fat të mirë, prej kohës së miqësisë me te kanë mbetë gjirime filmike dhe inçizime disa orëshe të cilat mund të shfrytëzohen për ndonjë dokumentar dhe për një monografi të mirë për te. Kjo shoqëri e hutuar dhe e mbytur në halle të shumta do të duhej të përkujdesej për këtë autor të veçantë vepra e të cilit ështe, pa asnjë dyshim, trashëgimia jonë më e pasur nga fusha e arteve pamore. Mendoj se përkujdesi ndaj kësaj trashëgimie do të duhej të niste nga Prizreni i tij i cili ka obligim moral që veprën e gjërë e shumë të vlefshme të Budim Berishës ta strehojë e ta ekspozojë nën kulmin e nje muzeu që do të bartte emrin e tij të ndritur! Pushofsh në paqe miku im i shtrenjtë në begatitë e Perëndisë ku vargjet e Rumit dhe muzika e Pink Floyd do të shoqërojnë përjetësisht!”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme