Sot hapet ekspozita personale e Petrit Halilajt në Los Angeles

15 Shtator, 2018 - 11:08 am

Ekspozita e tij e parë personale në Los Angeles do të hapet sonte.

Deri me 20 janar të vitit tjetër, Hammer Projects prezantojnë artistin kosovar Petrit Halilaj, një emër i njohur në artin bashkëkohor momental.

Qilimat e famshëm të cilët ai i prezantoi në Bienalen e Venecias vitin e kaluar, do të zënë hapësirën e Hammer Museum në Los Angeles. Për këtë ekspozitë, siç shkruan koncepti, Petriti ndërton botëra të çuditshme nga krijesat fantastike dhe reliktet e rimëkëmbura, nisur gjithmonë duke përthekuar përvojën e tij personale.

Shkopinjtë, balta dhe pëlhura janë elemente të cilat Petriti i sjellë në këtë ekspozitë. Ekspozita është një vazhdimësi e obsesionimit që Halilaj ka me kafshët: u shndërrua në zog, në qen, ndërsa tani prapë merret me kafshët, gjegjësisht me molën apo tenjën, që i përngjanë fluturës, shkruan KultPlus.

Për Petritin, ky inspirim përfaqëson zbulim, transformim dhe fshehje, duke dashur ti lartësojë insektet shpesh të këqija në një pozitë më të mirë në botën e mbretërisë së kafshëve.

Halilaj është fitues i Mirënjohjes Speciale në Bienalen e Venecias ndërsa ka fituar edhe Mario Merz Prize. Ai ka lindur më 1986 në Kostërrc, ndërsa jeton midis Prishtinës dhe Berlinit. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme