22 Korrik, 2025 - 6:33 pm
Në Shtëpinë e Evropës në Tiranë u çel ekspozita fotografike me titullin “Gati. Qëndro. Evropa jonë!”, e cila fokusohet në komunikimin përmes sportit.
Ekspozita përmban 18 fotografi të përzgjedhura nga rreth 200 aplikime të pranuara në konkursin fotografik të organizuar për këtë qëllim.
“Ky konkurs bashkoi disa elementë të rëndësishëm – tregimin e një historie përmes fotografisë dhe sportit. Kur këto tre gjëra bashkohen, dalin rezultate të veçanta. Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është drita që shikoja në fotografi, shprehja e shpresës dhe e të ardhmes që ata donin të tregonin. Përmes fotografisë ndërtojmë ura, dhe ky ishte qëllimi i konkursit – të ndërtojmë ura lidhjeje.”, theksoi Armando Babani, fotoreporter dhe anëtar i jurisë së konkursit.
Ekspozita synon të reflektojë mbi entuziazmin e të rinjve për sportin, kreativitetin dhe vlerat evropiane, duke ftuar të rinjtë të tregojnë sesi sporti lidh popujt e Ballkanit, duke mos krijuar ndarje, por bashkim.
“Sot nuk po shohim thjesht fotografi, por po dëgjojmë zëra të të rinjve nga gjithë rajoni, të cilët përmes aparatit të tyre tregojnë se si e shohin Evropën, vlerat e saj dhe përfytyrimin që kanë për të ardhmen e saj. Ky aktivitet përcjell mesazhe qëndrese, bashkëjetese, përfshirjeje, respekti dhe punë ekipore – vlera që qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian.”, tha Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, thekson:
Më parë, ekspozita ka udhëtuar në Beograd, Podgoricë dhe Shkup, dhe pas Tiranës do të vijojë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Prishtinë. Gjashtë fotografitë më të mira do të ekspozohen më pas në një nga kryeqytetet e Bashkimit Evropian.
Gjatë çeljes së ekspozitës ishte e pranishme edhe Klodiana Shala, kampione evropiane e atletikës dhe gruaja e parë shqiptare që mori pjesë në Lojërat Olimpike në Athinë 2004./euronews.al/KultPlus.com