Studentët e Artit dhurojnë piktura për popullin ukrainas, Nastenko: Të gjitha punimet do të jenë frymëzim për ushtarët ukrainas që të arrijnë paqen

6 Prill, 2022 - 4:50 pm

Sot, në ambientet e Fakultetit të Artit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, studentët kanë organizuar një ngjarje ku përmes veprave të artit janë solidarizuar me refugjatët dhe viktimave të luftës në Ukrainë, përcjell KultPlus.

Pikturat e realizuara nga studentët iu dhuruan popullit të Ukrainës. Ushtarët Ukrainas në kuadër të KFOR-it ishin të pranishëm dhe pranuan këto vepra në emër të popullit të Ukrainës.

Profesori i Artit, Xhevdet Pantina, mori fjalën i pari duke shpjeguar tematikën e kësaj ngjarjeje të organizuar nga studentët e tij.

“Kjo ngjarje si tip ekspozite në bashkëpunim me Florin, si iniciativë për solidarizimin apo përkrahjen e popullit dhe ushtrisë së Ukrainës, organizuam një tip ligjërate ku kanë marrë pjesë studentë të vitit të katërt dhe studentë të vitit të dytë të gjitha drejtimeve të arteve figurative. Ky është një vullnet apo solidarizim i studentëve të fakultetit të arteve dhe njëkohësisht edhe ne si staf akademik e kemi përkrahë dhe i përkrahim vazhdimisht këto iniciativa. Në bashkëpunim me Florin e patëm një ide se si me qenë më të qasshëm dhe se sa mund të ndihmojmë ushtrisë së Ukrainës, për aq sa janë këtu sepse me kalimin e kohës edhe këta do të shkojnë në vendin e vetë. “ thotë Pantina i cili tutje shton se studentët e kanë mirëpritur këtë iniciativë dhe si produkt kanë organizuar këtë ngjarje sot.

Ndërkaq ushtari ukrainas, Ivan Nastenko, i cili vepron në Kosovë, sot mbajti një fjalim në gjuhën shqipe, si shenjë falënderimi.

“Në emër të ushtarëve ukrainës deshta t’ju falënderoj për krejt mbështetjen që populli i Kosovës na ka dhënë. Është shumë e rëndësishme ta ndjesh që nuk je vetëm në këtë luftë kundër armikut. Mendoj që artdashësit e dinë më së miri rëndësinë e lirisë sepse vetëm në liri mund të bëhet art. Ju premtoj që të gjitha punimet që na i keni dhënë do të jenë frymëzim për ushtarët ukrainas që arrijnë paqen në Ukrainë” – vazhdoi Nastenko.

Për fund, studentët ua dorëzuan veprat e tyre me motive të Ukrainës ushtarëve ukrainas./ KultPlus.com

Të ngjajshme