Sylë Mujaj sjellë para publikut në Bernë mozaikët e tij të veçantë artistikë

8 Mars, 2018 - 1:10 pm

Më 12 mars në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë hapet ekspozita me punime në mozaik, e artistit Sylë Mujaj. Bëhet fjalë për një ekspozitë jo të zakonshme nisur nga vetë përmasat dhe pesha fizike e punimeve origjinale të punuara me mermer dhe qeramikë por edhe nga stili i veçantë. Ekspozita është titulluar “Mozaiku Artistik”.

Në punimet e tij, autori ka shkrirë punën disavjeçare të mundimshme dhe me përkushtim prej filigranisti, për të realizuar konceptin e tij artistik unik që përshkon të gjitha veprat.

Motivi mitik i takimit të Konstandinit dhe Doruntinës mplekset në këto punime me zhvillimet historike nga epoka e Skënderbeut e këtej, duke dalluar këtu personalitetet dhe ngarjet kyçe të historisë shqiptare. Po ashtu në krijimtarinë e tij ndeshet shpesh edhe akti i gruas, herë në funksion të konceptit të veprës konkrete, e herë si shpërfaqje e pastër e bukurisë së gruas.

Ndjenja për të madhërishmen dhe të bukurën shpërfaqet në punimet e krijuara në një teknikë shumë të veçantë, pra në mozaik, që është vështirë të haset ndër artistët tanë dhe më gjerë sot.

Ekspozita, siç e thotë për albinfo.ch autori Sylë Mujaj, hapet në përvjetorin e Pranverës Studentore të vitit 1981, (demonstratave) ku ai si student ishte në mesin e protagonistëve.

Sylë Mujaj u lind në Kosovë, në maj 1958, në fshatin Dukaivë, Rugovë, komuna e Pejës. Shkollën fillore e të mesme i kreu në vendlindjen e tij. Studimet e larta i ndoqi në Prishtinë si inxhinier i agronomisë. Para se të mbaronte studimet, arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në mars të 1981. Dënohet me 10 vjet burg. Në fillim vuajti burgun në Prishtinë dhe në nëntorin e 1981 transferohet në kampin e njohur “Hekur e beton” të Nishit në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. Shtatë vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturën “grupa pojaqanih nadzor”, (izolim). Me ndihmën e Amnesty Internacional dhe Komitetit të Helsinkit lirohet nga burgu. Pas daljes nga burgu shkoi në Zvicër, ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët. Zvicra i njohu atij strehimin politik. Sylë Mujaj është njëherësh edhe piktor, edhe poet. Njeriu që prej dhimbjesh, prej mungesës së lirisë, krijoi vargje që të tronditin me forcën e tyre realiste e me fuqinë e tyre artistike, që depërtojnë deri në qelizat e trupit. Piktura e tij e krijuar, ashtu në heshtje e nën peshën e prangave, nga një copë laps i mprehtë e një letër cigareje–siç kujton autori, -një pikturë e lexueshme, por domethënëse: ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës: fatet individuale të njerëzve-numra, siç i ka cilësuar autori, ku ai bën pjesë edhe vetë, shprehin dhimbshëm shpresën e lirisë. I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit, përmes hekurave, bashkë me dhimbjen dhe shpresën, ai herë me poezi e herë me pikturë, nëpërmjet artit të tij realist, pasqyron botën e tij të brendshme. Të gjitha këto ai i mblodhi në një libër, të cilin e paraqiti këto ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve., portretet e njerëzve të tij të dashur, shokëve të burgut, të identifikuar me numra, nënës, babait e gruas që e priti për 10 vjet rresht, japin tragjedinë e tij individuale, si simbol i një kombi.

Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në një varg ekspozitash, duke filluar nga viti 1992, kur ka marrë pjesë në ekspozitën “Psicologia delle prigioni jugoslave” (Psikologjia e burgjeve jugosllave) në Basel të Zvicrës e deri te ajo e fundit, ekspozita personale në Ambasadën e Kosovës në Austri. Brenda nkëtij harku kohor ai ka ekspozuar veprat e tij në dhjetëra ekspozita, herë kolektive e herë personale, në Zvicër, Kosovë dhe vende të tjera. Ai po ashtu ka qenë organizator dhe promotor i aktiviteteve të ndryshme artistike, si mbajtja e simpoziumit në përvjetorët e vdekjes së Aleksandër Moisiut në Lugano, themelimi i kolonisë art–turizëm “Kodra”, me qendër në galerinë re artit në Pejë etj. Krahas artit pamor, Sylë Mujaj ka pasion edhe poezinë. Në vijim, një ndër sprovat e tij poetike:

NGA KLINIKA “CASTEL ROTTO” 2018

Një jetë e mirë, dhurata e zotit,

Gati me mua n’ shërim,

Athua ajri dëshmi,

Pika loti,

Kur kalova vuajtjet,

Burgun,

Lëshova ëndrrat,

Lehtësisht,

Të lira,

Ishte rini, mbase ne vrapim,

Gjithmonë vinë ditë te mira,

Ikën vite, dekada, jam ne shërim,

Ka këtu jetë, ofshamat e mija,

Ashtu thoshim e mira e kombit tim.

Kaluan vite, prapë meditoj,

A ka jetë tjetër, apo ankim,

Se koha shkon, jetën jetoj,

Te gjitha t’ mira, ka shërim,

Eci kërrusur, pasuri te kaluara.

Rashë, ngritëm ne krevat klinike,

Ose pashë, ndjeva, preka ne kalim,

Te jem vetja është fisnike,

Te dalë e te jem n’ rrugëtim,

Dua t’ jem me ju sot e mot.

2 herë jam i fort gur,

0 përulem në shtrirje,

1 herë ngritëm ndeshëm në mur,

8 herë thashë se do jem, vetja në ngritje.

Ekspozita hapet të hënën, më 12 mars, në orën 18.00. Ajo qëndron e hapur nga 12 marsi deri më 23 mars në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, në këtë adresë : Zähringerstrasse 25, 3012, Bern./ KultPlus.com

Të ngjajshme