“Të rinjtë për trashëgiminë” hapet sot në Prishtinë

25 Janar, 2018 - 9:52 am

Sot, në orën 11:00 në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC) , hapet ekspozita e fotografisë “Të rinjtë për trashëgiminë”.

Në këtë ekspozitë, do të prezantohen fotografitë më të mira të realizuara nga nxënësit e katër shkollave fillore të Kosovës gjatë punëtorisë dy ditore të fotografisë, organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.

Në dy ditët e këtij aktiviteti nxënësit kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, ku njëherësh edhe janë realizuar fotografitë e ekspozuara. Përtej njohjes me fotografinë dhe një pjese të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fëmijët e komuniteteve të ndryshme kanë pasur mundësi të njihen mes tyre duke investuar në të ardhmen pa paragjykime pavarësisht të kaluarës në konflikt. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet janë: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë. Në hapje të ekspozitës do të marrin pjesë përfaqësues të IOM-it në Prishtinë dhe znj. Chablize Stoner nga Ambasada Britanike në Kosovë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30.01.2018./ KultPlus.com

Të ngjajshme