“Themeli”, ekspozita që ndërthur poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në Muzeun e Amsterdamit

5 Tetor, 2023 - 3:30 pm

Jeta Zymberi

Një titull me peshë, një titull që mbart shpirtin dhe historinë e një populli, “Themeli” është fjala që përthekoi punën e dy artistëve shqiptarë, Luan Buleshkaj dhe Arijan Zymeraj për të prezantuar një copë Kosove në një vend të veçantë, siç është Muzeu i Amsterdamit.

Për një shqiptar të rritur larg vendlindjes së tij, “Themeli” është më shumë se një fjalë – është një kujtim i vendlindjes, një lidhje me rrënjët dhe një dëshirë për të përjetuar dhe ndarë trashëgiminë kulturore me botën, shkruan KultPlus.

“Themeli” është një përpjekje plot pasion e këtyre dy artistëve, për të zbuluar thelbin e popullit kosovar dhe të shpërndajë këtë njohuri me botën nëpërmjet poezisë dhe fotografisë.

Muzeu i Amsterdamit ka hapur dyert për këtë ngjarje të veçantë, ku poezia dhe fotografia përplasen për të sjellë historinë dhe kulturën e Kosovës të nxjerra nga një udhëtim i veçantë i këtyre dy artistëve në Kosovë, në veçanti në qytetin e bukur të Istogut.

Në një intervistë për KultPlus, artistët kanë zbuluar më shumë rreth këtij projekti inspirues.

Projekti “Themeli” lindi si ide e Luan Buleshkajt, një artist me ngjyra të ndryshme në biografinë e tij. I lindur dhe i rritur në Amsterdam, me rrënjë shqiptare, ai bëri emër më së shumti si reper, por që kur u fut në botën e poezisë ai ka performuar në shumë skena të njohura në Holandë.

“Gjithmonë kam pasur dëshirën që të kombinoj poezinë dhe fotografinë për të shpalosur historinë e Kosovës në një mënyrë unike”, tha Luani i cili tregon se kur u takua me fotografin Arijan Zymeraj kuptoi që ky ishte kombinimi perfekt për realizimin e këtij projekti.

Bashkë, ata kuptuan se kishin një mision të përbashkët, për të eksploruar dhe shpërndarë historinë dhe emocionet e Kosovës nëpërmjet artit.

Kosova është një vend i pasur me histori të ndryshme ku pothuajse nga secila familje mund të nxjerrësh rrëfime fantastike. Edhe për këta dy artistë, historitë e familjes së tyre ishin burimi kryesor frymëzues për këtë projekt.

“Historitë e babait tim dhe anëtarëve të familjes më kanë frymëzuar. Tregime nga historia e Istogut. Përralla popullore klasike por edhe histori rreth luftës. Më kanë prekur më së shumti historitë e gjyshit. Ai ishte këngëtar dhe aktivist politik”, tregon Luani për KultPlus.

Njëjtë është edhe për Arijanin, i cili në këtë ekspozitë do të ndaj me publikun edhe një pjesë shumë personale.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të ndaj fotografitë e gjyshit tim gjatë kësaj ekspozite 5 mujore dhe ta bëj të pavdekshme historinë e tij”, thotë Arijani.

Arijan Zymeraj dhe Luan Buleshkaj

Edhe pse ekspozita do të hapet në Muzeun e Amsterdamit, titulli mbetet në gjuhën shqipe, “Themeli”. Fotografi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Holandë, Arijan Zymeraj, fotografitë e të cilit kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë, një arsye kjo që vazhdon ta nxisë për të punuar vazhdimisht, ka treguar më shumë rreth idesë së titullit të ekspozitës.

“Ne e quajtëm projektin “Themeli” sepse njerëzit për të cilët flitet dhe janë fotografuar janë themeli i popullit shqiptar të Kosovës sot, sepse ata kanë luftuar për të na dhënë një të ardhme neve”.

Udhëtimi nëpër Kosovë për të kapur historitë dhe emocionet ishte një përvojë e pasur dhe ndikuese për artistët. Fotografi tregoi se pavarësisht bukurisë së vendit, udhëtimi kishte edhe sfidat e veta.

“Përvoja ishte e bukur por edhe e vështirë. Të dëgjosh historitë e njerëzve në Istog për kohën e tyre gjatë okupimit është diçka që nuk dëshiron ta dëgjosh çdo ditë. Por arsyeja pse vazhduam është diçka për të cilën gëzoj më shumë respekt”, shprehet Arijani.

Në ekspozitën “Themeli,” dy artistët trajtojnë tema të ndryshme, por disa prej tyre janë më shumë në fokus. Arijani theksoi se një nga temat kryesore është brezi i vjetër që ka guxuar të ndërmarrë hapa kundër pushtimit. Por edhe se si Kosova ende po punon për të rindërtuar vendin e saj.

Ndërsa Luani u shpreh se ekspozita është më shumë se një pasqyrim i historisë së Kosovës.

“Kosova është më shumë se luftë dhe tragjedi. Është një vend historik me histori të pa treguara. Ne i përcjellim ato histori të pa treguara përmes fotografisë dhe poezisë”, thotë Luani.

Sipas artistëve, e veçanta e kësaj performance në Muzeun e Amsterdamit është aspekti njerëzor.

“Ne i qasemi çdo gjëje nga këndvështrimi njerëzor. Nga vetë populli shqiptar. Por edhe nga diaspora shqiptare. Mendoj se kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë do të bëhet shumë e njohur për publikun këtu” thotë Luani.

Krejt për fund, artistët na shpalosën se tashmë kanë nisur punën që ekspozitën e njëjtë ta sjellin edhe në Kosovë.

“Ne patjetër që dëshirojmë ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë. Poezitë janë në anglisht por janë përkthyer edhe në shqip. Këtë e bëmë pikërisht për këtë qëllim, sepse duam ta sjellim këtë ekspozitë edhe në Kosovë”, përfundon Luani.

Ekspozita “Themeli” do të hapet nesër më datë 6 tetor në Muzeun e Amsterdamit dhe do të qëndroj e hapur deri më 25 shkurt të vitit 2024. / KultPlus.com

Të ngjajshme