Tirana në sytë e të rinjve, promovohet trashëgimia kulturore përmes pikturës dhe fotografisë

27 Qershor, 2025 - 1:55 pm

Trashëgimia kulturore e Tiranës u përçua nga sytë e të rinjve, të cilët dëshmuan nëpërmjet pikturës dhe fotografisë vlerat tradicionale dhe autentike që përfaqësojnë kryeqytetin.

Me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe në kuadër të iniciativës “Tirana-Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, qendra URF organizoi aktivitetin “Art & Trashëgimi Kulturore në Tiranë” në ambientet e Qendrës “Reja”.

Eventi përfshiu një konkurs pikture dhe fotografie për të rinjtë, muzikë live dhe një ekspozitë të hapur për publikun.

Gjatë aktivitetit, ku arti u bë urë lidhëse mes brezave, një juri profesioniste vlerësoi punimet artistike dhe ndau tre çmime kryesore.

Çmimin e parë në fotografi e fitoi Lorela Lamçe, me një foto e cila ndërthurte veshjen tradicionale dhe gatime të zonës së Tiranës. Fotografia titullohej “Fërgesa e Tironës nga nona Vjollca”, që në syrin e fotografes reflektonte traditën popullore të zonjave të kryeqytetit.

Çmimin e parë në pikturë e fitoi Gentiana Beqiri, e cila kishte sjellë nëpërmjet ngjyrave portretin e gjyshes duke thurur me shtiza, ulur në divan.

Të gjithë pjesëmarrësit në konkurs më pas u nderuan me certifikata mirënjohjeje. Eventi që promovoi traditën përmes artit tërhoqi vëmendjen e turistëve të shumtë./ KultPlus.com

Të ngjajshme