Tre piktorë bëhen bashkë në Muzeun Kombëtar

7 Nëntor, 2019 - 8:21 pm

Kulla është një term bashkëkohës, i cili përbën shqetësim për tre artistë. Dhe për të mos qenë lindor, termin kullë e zëvendësojnë me Tower. Pasi shqetësimi i tyre artistik na sjell jo vetëm emocionet e keqkuptimit biblik, mbrojtjes klanore ballkanike, gjakut kanunor, garës së pandalshme për pushtet, por edhe epjes së një elite që kërkon të vishet me petkun e modernes perëndimore. Erand Nebo, Anteo Gremi dhe Gjergj Meta e shprehin kështu kullën në pikturën e tyre.

“Unë jetoj dhe punoj në një studio me një kullë në tiranë. Artistët e tjerë janë pjesë e zyrave ku qëndrojë dhe punojnë përditë aty. Na ka bashkuar kjo kullë jo vetëm përbrenda ndjesitë që zotëron kulla, për rritjen e saj, për ashensorin, shpejtësinë, për zbritjen, ngjitjen, tensionin, xhamat, lartësitë, frikën që transmetohet nëpërmjet xhamit dhe reflekseve të tij, por edhe për bisedat përreth kullës. Kjo e bën këtë objekt shumë të dëshiruar për ta ekzekutuar në veprat e artit”, shprehet Gjergj Meta, piktor.

Tek Gremi gjejmë një kopsht idilik me ngjyra krejtësisht jo natyrale, Nebo e braktis formën dhe thellohet tek lëvizja dominante e vertikalitetit, ndërsa tek Xhoxho gjejmë kalimtaren e një realiteti tepër tranzitor. ”Kulla më përplaset përditë e çuditshme, e dëshirueshme, pastaj dua ta fshij nga kujtesa, për shkak të madhësisë dhe raportit që krijon njeriu me objektin kullë. Kësaj radhë e shikoj kullën të zbehtë, të larguar, të mohuar”, shton Meta. Ky dialog trepalësh shpalohet në këtë ekspozitë nëpërmjet pikturës së vajit, smaltit dhe akrilikut që qëndrojnë në Muzeun Historik Kombëtar. /KultPlus.com

Të ngjajshme