U mbajt paneli i dytë i Femart, në fokus stigma ndaj grave të dhunuara

11 Qershor, 2019 - 2:34 pm

Në kuadër të festivalit Femart, në ambientet e Hotelit Grand u paraqit paneli i dytë i përbërë nga katër anëtare.

Paneli i dytë ishte i përqendruar te gratë e dhunuara, përkatësisht te stigma ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë viteve 90′ në Kosovë. Fokusi i bisedës ishte dhuna seksuale ndaj grave respektivisht angazhimi i tyre në shoqërinë e sotme, me punë të ndryshme. Pjesë e panelit të dytë ishin Drita Hajdari, Prokurore, Minire Begaj, Kadire Tahiraj, QPDG, Feride Rushiti, QKRMT, Valdete Idrizi, Aktiviste e paqes.

 Gratë paneliste, u cilësuan si të fuqishme dhe suksesshme. Ato biseduan me audiencën e pranishme, ku u kërkua të bëhet më shumë nga institucionet për përfshirjen e grave në shoqëri. U përfolën gjithashtu angazhimet e disa grave, të cilat bëjnë punë të ndryshme në kuadër të organizatave.

Duke parë video në ekran, pati bisedë edhe për parandalimin e vetëvrasjeve nga ana e grave të dhunuara që kanë ndodhur kohë më parë në Bosnjë. U thirr që të mos bëhet ky gabim nga gratë e dhunuara shqiptare.

Artistja dhe aktivistja Eliza Hoxha, në anën tjetër, përveç që u shpreh e kënaqur me organizimin pati edhe kritika drejt pjesëmarrjes së vogël në këtë ngjarje të rëndësishme.

Më vonë gjatë ditës, do të mbahet paneli i tretë ku do të drejtohet fokusi tek luftimi i stigmës përmes mediave dhe arteve. Festivali Femart, do të vazhdojë deri më 16 qershor. /KultPlus.com

Të ngjajshme