“Unë dhe Saranda”, hapet ekspozita e piktores kosovare në Sarandë

19 Shtator, 2018 - 7:40 pm

Rreth 28 punime të piktores kosovare Saranda Kika-Bahtiri u prezantuan në qytetin bregdetar të Sarandës.
Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri është një prej 40 vajzave kosovare me emrin Saranda, që vizituan shkurtin e këtij viti qytetin, që u ka dhënë emrin.

Në ekspozitën e çelur ditët e fundit në galerinë “Art Saranda” ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, drejtues të pushtetit vendor, artdashës etj.

Në një prononcim për ATSH-në, piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri u shpreh se “e frymëzuar nga bukuritë e Sarandës, pas vizitës në qytetin bregdetar, krijova punime enkas për artdashësit, kryesisht peizazhe”.

“Në ekspozitë prezantova 28 punime të formateve të ndryshme, ku del në pah harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta e intensive si në plan të parë po ashtu edhe në prapavijë”, u shpreh Saranda Kika- Bahtiri.

Si në peizazhe, edhe në portrete, ngjyrat vendosen me gjeste të sigurta, me koncepte të mirë menduara dhe gjithmonë na çojnë drejt hulumtimit si të ngjyrës dhe formës .

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe femra. E konsideruar si e brishtë në shoqëri, në punimet e piktores Saranda Kika-Bahtiri del e fortë, e qëndrueshme.

Ngjyrat në sfond janë më të lehta, më të çelta, më të pastra. Femra në brendësi ka shumë klithje, vuajtje, shqetësime, hutime dhe paramendime, e krejt kjo vjen nga gjuha e brendshme e piktores.

Në punimet e ekspozuara gjithnjë respektohet elementi i ngjyrës, linjës, formës dhe kompozicioni.

Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri ka lindur në Prishtinë. Në vitin 2004 u diplomua në Degën e Artit Figurativ, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Në 2007 u diplomua në studimet pas universitare në Degën e Artit Figurativ. Aktualisht po ndjek studimet e doktoratës në Universitetin Internacional të Novi Pazarit.

Ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, ndërsa ka hapur disa ekspozita personale si në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë, në Podujevë, Pallati i Rinisë në Prishtinë, në Gostivar , në Galerinë e Arteve pamore në Tetovë, etj.

Piktorja Saranda Kika-Bahtiri është nderuar me çmimin e parë “Kadri Kadriu”, në Podujevë ka marrë diplomën “Studente e dalluar” nga Universiteti i Prishtinës, çmimi i parë “Salloni vjeshtor” Galeria e arteve Gjilan, fituese e shpërblimit në ekspozitën ”Arti Islam IV”(specializim i artit Ebru në Konya të Turqisë).

Ekspozita “Unë dhe Saranda do të qëndrojë e hapur në qytetin bregdetar deri në 7 tetor. /KultPlus.com

Të ngjajshme