Valdeta Veliu Vuçiterna pjesëmarrëse në Bienalen e grafikës në Varna

26 Gusht, 2017 - 1:00 pm

Valdeta Veliu Vuçiterna e cila deri më tani ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive ndërkombëtare, si në: Brazil, Kinë, U.S.A., Kanada, Poloni etj. Tanimë puna e saj po vazhdon të prezantohet edhe në ekspozita tjera në botë, shkruan KultPlus.

E fundit ku Valdeta është duke marrë pjesë, është ekspozita në Bienalen e grafikës në Varna të Bullgarisë, ngjarje kjo e cila këtë vit po shënon edicionin e 19-të.

Në këtë ekspozitë të mrekullueshme, kanë marrë pjesë mbi 330 pjesëmarrës nga 56 vende të botës dhe më shumë se 470 punime. Ekspozita është hapur më datë 11 gusht në Galerinë e Arteve të Qytetit “Boris Georgiev” Varna dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 shtator.

“Është hera e tretë që marr ftesë nga organizatori i Bienales së grafikes. Në këtë ekspozitë jam prezantuar me dy fletëgrafika, të teknikes së litografisë. Ndjehem e privilegjuar që ndodhem në konkurrencë me artin botëror, duke synuar që artin kosovar ta prezantoj në mënyrë sa më denjitoze”, ka thënë Valdeta për KultPlus.

Valdeta Veliu Vuçiterna, punon pranë fakultetit te arteve të bukura, si profesoreshë në lëndën e grafikës. / KultPlus.com

Të ngjajshme