Valdrin Thaqi hap ekspozitën personale “Shtëpia mbi Kodër”: Një rrëfim për shtëpinë dhe identitetin

1 Maj, 2025 - 6:45 pm

Në një udhëtim artistik të ndjeshëm dhe personal, Valdrin Thaçi ka prezantuar ekspozitën e tij të parë personale në Kosovë, me titullin “Shtëpia mbi Kodër”, e cila u hap më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 qershor 2025. Kjo ekspozitë e kuruar nga Erka Shalari, sjell një ndërthurje intime të kujtesës, identitetit dhe përkatësisë, të shpalosur në një gjuhë vizuale që shmang rrëfimet lineare për të hapur një hapësirë për reflektim të thellë dhe dialog emocional.

Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqituara artikulojnë një gjuhë mes pikturës dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për vizitorët që orientohen mes tyre.

Veprat të cilat janë ekspozuar, kishin secila emrin e saj. “Ylli i Vogël” e punuar në vitin 2023 është një kuadriptik i realizuar me vaj në pëlhurë, që sjell një lojë të ndjeshme të dritës dhe hapësirës në përmasa 97 x 90 cm. “Bora e Parë” është një vepër skulpturore që kombinon dru dhe tekstil (patisk), duke krijuar një strukturë me dimensione 72.5 x 65 x 40 cm, e cila evokon ndjesinë e prekshme të dimrit të parë.

“Shtëpia mbi Kodër” e punuar në 2024 sjell një kompozim në argjilë me përmasa 25 x 25 x 22 cm, që përcjell një ndjenjë intimiteti dhe nostalgjie.

“Nëna” është një pikturë me vaj në pëlhurë, me përmasa 144 x 110 cm, që eksploron lidhjet e thella emocionale përmes figurës së nënës. “Prova” është një tjetër pikturë me vaj në pëlhurë, me dimensione mbresëlënëse 200 x 160 cm, që trajton dinamikën dhe tensionin e momenteve përgatitore.

Në qendër të ekspozitës qëndronte maketa e një shtëpie – model i shtëpisë së fëmijërisë së artistit, e vendosur dikur mbi një kodër, në vendin ku ai ka lindur. Pikërisht ky objekt simbolik, nga i cili ekspozita merr edhe titullin, është një pikënisje për të trajtuar nocionin e shtëpisë si një strukturë jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore.

Lidhur me lidhjen e tij shpirtërore me veprat e tij, artisti Valdrin Thaqi u shpreh për KultPlus se shtëpia e cila ishte pjesë e ekspozitës, është modeli i shtëpisë së tij që ishte mbi një kodër në vendlindjen e tij.

“Domethënë kjo shtëpia që në fakt është pjesë e ekspozitës, është model maketë e shtëpisë time të fëmijërisë që ka qenë e vendosur në një kodër në vendin ku unë kam lindur, kështu që emri i ekspozitës vjen prej ksaj, e përshkruan këtë nocionin e shtëpisë, identitetin personal”, është shprehur Thaqi.

Tutje, ai është shprehur se nuk mund të specifikojë diçka si fillimi i inspirimit për një punë, por që është inspiruar nga gjërat që e rrethojnë, hulumtimet, librat e lexuar dhe që është një përzierje e krejt këtyre.

Thaqi tregoi se veprat janë punuar gjatë tri viteve të fundit dhe janë punë të serive të ndryshme por që janë bërë bashkë për këtë ekspozitë që është ekspozita e tij e parë personale në Kosovë.

“Shpresoj që publiku kanë me e prit mirë që secili me pa atë çfarë kam paraqitur, për mua është shumë personale, narrativi është shumë personal, tek publiku për mua është shumë e paparashikueshme se çfarë merr publiku ose çfarë pret prej një ekspozite sepse secili e sheh në mënyren e vet”, u shpreh në fund Thaqi.

Ndërkaq, kuratorja e kësaj ekspozite, Erka Shalari e përshkruan procesin e bashkëpunimit me artistin Valdrin Thaqi si një përvojë ndryshe. Bashkëpunimi për ekspozitën “Shtëpia mbi Kodër” në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka qenë një praktikë e hapur, e lirë dhe larg strukturave të ngurta kuratoriale.

“Me e veçanta ka qenë fakti që ne jemi takuar dhe kam parë hapësirën për herë të parë, dhe mënyra se si e ka konceptuar ka qenë e lirë. Unë nuk jam pro praktikave kuratoriale që janë hierarkike. Më pëlqen fakti që artisti është shumë bashkëpunues në tekst dhe në ndërtimin e narratives”, është shprehur ajo.

Për të, ekspozita është fryt i një kurimi të përbashkët, të zhvilluar në kohë dhe me mendim të thellë. Tutje, ajo ka shtuar se narrativat që ndërtonin sot, nesër nisnin pyetje të tjera dhe kjo është një lloj kurimi. Ajo tregon se me Valdrinin kanë pasur një praktikë kuratoriale shumë të veçantë.

Shalari vëren se çdo vepër është e pazëvendësueshme brenda hapësirës së ekspozitës dhe për këtë arsye asnjëra nuk mund të mendohet jashtë saj.

“E kam të vështirë të ndaj veprat. Çdo punë që do merrej nga ekspozita do ndryshonte gjithçka. Në mënyrën e tyre, veprat komunikojnë në heshtje me njëra-tjetrën”, u shpreh ajo.

Në këtë proces, ajo ka kaluar kohë me artistin dhe ka ndjekur nga afër kontekstin personal të tij, gjë që ka qenë thelbësore për krijimin e një narrative të ndjeshme dhe të vërtetë.

“Kam parë lokalet ku rri me shokët, kam parë punime të vjetra dhe pjesën e gjimnazit. Ka qenë shumë e bukur – kemi punuar shumë dhe kemi menduar për çdo fjalë. Ka mundësi që një nga punët të jetë pjesë e ndonjë group show diku tjetër, por nuk ka tendencën që të shkojë diku. Kjo ekspozitë është për këtu”, ka shtuar ajo.

Ajo thekson edhe zgjedhjen për të lënë hapësirë të bardhë dhe për të reduktuar numrin e veprave, çka sipas saj i jep një intensitet më të madh përvojës vizuale.

Për Shalarin, vendimi për të marrë pjesë erdhi natyrshëm, pas kontaktit me veprën dhe thellësinë e saj.

“Ajo që më bëri të them po ishte Valdrini, puna e tij e thellë – dhe pastaj vjen hapësira, se ku jemi”, shtoi kuratorja Shalari në fund./KultPlus.com

Të ngjajshme