Vasil Vasili kthehet pas 35 vitesh me ekspozitën ‘Asnjëherë shumë larg’

9 Gusht, 2025 - 2:40 pm

Galeria “Art Saranda” hapi këtë vit sezonin me ekspozitën e parë të skulpturës, e cila vjen nga Kanadaja dhe është realizuar nga artisti Vasil Vasili. Ai është një pasionant i vizatimit dhe skulpturës, i cili ka filluar rrugëtimin e tij artistik në ish-Shtëpinë e Kulturës në Sarandë.

Pas 35 vitesh, Vasili është rikthyer në qytetin ku nisi ëndrra e tij artistike, duke e përshkruar këtë ekspozitë si një udhëtim shpirtëror që sjell përjetimet, emocionet dhe lidhjen me kulturën, arkitekturën dhe traditat lokale në një formë të veçantë artistike.

Kuratorja e ekspozitës, Katerina Kosqina, theksoi se secila prej veprave pasqyron përjetimet e thella dhe kujtimet e autorit, të cilat janë shndërruar në art. Ajo përmendi se përkundër sfidave të shumta në jetën e tij, Vasili ka ruajtur një lidhje të fortë me vendin e tij, që reflektohet në temat që trajton si: shtëpia, vetmia dhe kujtimet personale si pasaporta e vjetër dhe e re.

Drejtori i Galerisë, Lefter Çeko, tregoi se në hyrje të ekspozitës ndodhen portreti i babait të artistit, një skulpturë e nënës së tij dhe disa vizatime nga periudha kur ishte ushtar, si një kujtim i fillimeve të tij artistike.

Ekspozita “Asnjëherë shumë larg” do të qëndrojë e hapur në Galerinë “Art Saranda” deri në mes të shtatorit, duke ofruar një mundësi për të njohur më thellë punën dhe rrugëtimin e Vasil Vasilit./KultPlus.com

Të ngjajshme