займ на карту онлайн потребительский кредит

Veçoritë e artit dhe arkitekturës islame

Qershor 11, 2019 - 10:31 am

Nga Bujar Meholli

Me lindjen e besimit islam, fillon të zhvillohet edhe arti përgjatë periudhës Emevite dhe Abasite[1] (661-945) ku merr formë specifike, që vjen duke u zhvilluar veçanërisht në arkitekturë dhe art aplikativ.

Arkitektura, kaligrafia, e vizatimi, dallohen në këtë zhvillim të hovshëm artistik, që nis nga shekulli VII. Në artin islam, përqendrimi është kryesisht te kaligrafia dhe jo te krijimi i figurave, që në islam njihet si idhujtari, e ndaluar nga Zoti (Allahu) në librin e shenjtë Kur’an.

Pra, imazhet janë të ndaluara. Arti islam, është zhvilluar paralelisht me artin romak, artin e hershëm të krishterë dhe bizantin. Sipas M.M. Sharif, Ky art ka huazuar edhe elemente teknike dhe formative nga mjediset me të cilat ka kontaktuar apo bashkëjetuar, por fryma e islamit ka qenë postulat i pacenueshëm i frymëzimit dhe veprës së artistëve myslimanë.[2]

Piktura dhe skulptura kanë ngecje, sepse artistët myslimanë zakonisht janë të lidhur me besimin që synon njëshmërinë e Krijuesit; ata largohen nga idhujtaria që sipas tyre manifestohet nëpërmjet pikturës dhe skulpturës.

Arkitektura është po ashtu e përhapur dhe mjaft e zhvilluar në islam. Kemi të bëjmë me zhvillimin e stileve e dizajnëve nga arkitektët myslimanë të cilët përfshijnë edhe stile sekulare mirëpo fokusi kryesor mbetet te stili fetar, i cili, natyrisht është më i shprehur.

Në arkitekturën islame, përveç xhamive përfshihen edhe pallatet, kalatë, banjot, urat e ndërtimet tjera që mbartin vlera të larta artistike.

Arti dhe arkitektura islame janë quajtur psikadelike; ato shfaqin paraqesin ngjyra të gjalla dhe modele mjaft të ndërlikuara gjeometrike të ngjashme me modelet kaleidoskopike. Kur përmendet psikadelika, mendja shkon tek arabeskat të cilat padyshim janë themeli i artit islam, të përbëra nga modelet lineare.

Pas vdekjes së profetit Muhamed, stili arkitektural islam u paraqit dhe ngadalë u zhvillua duke marrë bazat e modeleve antike egjiptiane, bizantine, persiane e sasaniane.[3]

Naqsh-e Jahan Square

Përfundimi i Kupolës së Gurit në Jerusalem (viti 691), paraqet hapësirën e brendshme të ndërtuar me gurë e të zbukuruar me arabeska. Edhe Xhamia e madhe e Samarrës në Irak, është nga shembujt e hershëm të ndërtimeve arkitekturale islame.                                         Kjo xhami (viti 847) ka minare në formë spirale dhe i takon ndërtimit arkitektural hipostil[4].

Arkitektura islame dallon nga ajo evropiane duke pasqyruar elemente të posaçme të zhvilluara nga arkitektët e njohur myslimanë.[5]thotë historiani gjerman dhe studiuesi i islamit, Ernst J. Grube.

Kuptimi i artit dhe arkitekturës islame reflekton te besimtarët myslimanë, në lidhjen e tyre me universin. Pra, artistët myslimanë qëllimin kryesor e kanë që përmes zbukurimeve t’i afrohen Allahut bashkë me praktikuesit fetarë, ata që i shijojnë këto zbukurime.

Kur jemi te zbukurimet, përmendim punimet e qilimave të famshëm që datojnë nga vitet 531-579 në Persi dhe Turqi. Ata, qilimat, u përhapën në mbarë botën. Islami i kushton rëndësi të veçantë pastërtisë, e madje për besimtarët i ndalon vendet e papastra, prandaj ritet preferohen të kryhen mbi gjëra të pastra, siç është qilimi.

Qilimat janë art në vete, këtë e dëshmon kualiteti i lartë i prodhimit dhe rritja e çmimeve në ankandet botërore. Eksploruesi i famshëm italian Marko Polo, qilimat e punuar me forma gjeometrike i përshkruan si më të bukurit në botë.

Tregtarët italianë ishin më meritorët që ata u njohën dhe vlerësuan nëpër Evropë. Qyteti i Venecias fillimisht ishte qendër e tregut; qytetarët i përhapnin qilimat rrugëve të ngushta apo i varnin ata në dritaret e tyre, po ashtu i përdornin për t’i zbukuruar gondolat e tyre.

Megjithë rëniet e ngritjet ndër shekuj, kërkesat për qilima u shtuan në shekullin e 20-të, e madje mori hov sjellja e tyre në Evropë.

Kaligrafia arabe në hyrje të Taxh Mëhallës

Siç thamë sipër, imazhet ndalohen rreptësisht, e ky ndalim është quajtur aniconizëm, term që shpjegon pse nuk mund të shohim krijimin e imazheve, sidomos të qenieve të ndjeshme në islam ku përfshihet Zoti, profeti Muhamed, (dhe të afërmit e tij) profetët tjerë, si dhe njerëzit e kafshët në përgjithësi. Përshkrimi i Zotit në mënyrë vizuale, automatikisht çon në idhujtari.

Abstraksioni i artit islam, ka për qëllim të simbolizojë natyrën transcendente dhe të pafundme të Zotit; për këtë shërbejnë më së miri arabeskat. Përmes tyre, mund të përsëritet ad infinitum[6], që paraqet gjuhën universe dhe madhështinë e Zotit.

Brendësia e xhamisë së Kordobës

Faqja hyrëse e Kur’anit në Stamboll, 1867

Arabeskat

Artizanati islam

Qilim islam



[1] Ishin dy dinasti të famshme që shërbyen për ngritjen dhe zhvillimin e shkencave, diturive, e qytetërimit në çdo anë të vendeve islame.

[2] M. M. Sharif, A History of Muslim Philosophy, vol. II, Wiesbaden, 1966

[3] Arti Sasanian u shfaq në Perandorinë Sasaniane, që sundoi nga shek. 3 deri në 7. Ky art përshkruan skena humoristike me stil madhështor.

[4] Fjala hipostil, rrjedh nga greqishtja e lashtë hyostylos, që nënkupton “nën kolonë”. Në kolona mbështetet një çati.

[5] Architecture of the Islamic World”, 1978, Thames and Hudson, Ernst J. Grube

[6] Frazë latine që do të thotë “pafundësisht” ose “gjithmonë”.

Të ngjajshme