Veliaj: Mural Fest, traditë që do ta përsëritim çdo vit

1 Korrik, 2018 - 4:30 pm

Fasadat e pajeta dhe ngjyrë gri të qytetit janë kthyer në vepra arti, duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet murale për turizmin në rajon.

Artistë nga e gjithë Europa dhe jo vetëm, patën mundësinë të njihen me Tiranën dhe me punimet e tyre murale të lënë gjurmë në hapësirat urbane të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh nga afër me punët e realizuara nga artistët në disa rrugë të ndryshme të kryeqytetit, çka i ka dhënë Tiranës një shpërthim ngjyrash.

“Këta artistë fantastikë na kanë ndihmuar me artin e rrugës në Tiranë, kanë bërë grafiti, kanë dhënë mesazhe politike, disa herë radikale, disa herë provokuese. Tirana ka pasur një traditë shumë të mirë nga vitet 2000- 2011, në kohën e Edi Ramës, ku ngjyrosja e pallateve, lyerja e tyre me ngjyra, përcjell diçka ndryshe nga grija që kemi trashëguar, nga koha e Luftës së Ftohtë dhe gjithë trashëgimia sovjetike e komuniste, për t’i dhënë ngjyrë qytetit. Ka qenë një eksperiencë fantastike, po e ringjallim atë përvojë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku veçoi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të re për kryeqytetin, që Tirana të ruajë reputacionin e qytetit të ngjyrave, si një kartolinë fantastike e Shqipërisë evropiane.

Një prej artisteve pjesëmarrëse në këtë festival ngjyrash ishte edhe Noel Gazzano nga Italia, e cila theksoi se ka qenë një bujari e madhe nga ana e Tiranës që dhuroi hapësirat e saj për artistët.

Gazzano është e mendimit se kjo nismë ka shumë vlera pasi përçon artin dhe njëkohësisht krijon një urë ndërmjet institucioneve, botës së artit bashkëkohor dhe njerëzve.

“Gjëja më e bukur e kësaj eksperience është se ndërsa pikturoja për tre ditë, me qindra njerëz ndalonin, disa fëmijë donin të pikturonin me mua dhe të gjithë më falenderuan. Jam ndierë vërtet e mirëpritur”, u shpreh artistja italiane, Noel Gazzano.

“MuralFest Tirana 2018”, lindi si fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe laboratorit italian 167/B Street nga Leçe. Përmes këtij projekti bashkia synon të promovojë artin mural në hapësira të ndryshme publike ku fasadat e ndryshme të qytetit shërbejnë si kanavacë dhe galeri për artistët.

Veprat murale nëpër qytetet kryesore të botës si Berlin, Londër, Vankuver etj janë kthyer në një instrument tërheqës për rritjen e turizmit dhe njëkohësisht kanë ndikuar në përmirësimin e mjaft problematikave ekonomike, mjedisore dhe sociale me të cilat ballafaqohen sot qendrat urbane./ a.s/dita

Të ngjajshme