Vepra e skulptorit Sadik Spahiu në Bulevardin e ri “Zogu I”, “Zëri” që lidh njeriun me artin

12 Qershor, 2021 - 5:28 pm

Bulevardit të ri “Zogu I” në kryeqytet i është shtuar vepra më e fundit e artit publik “Zëri” e skulptorit Sadik Spahiu.

Artisti Spahiu tregon për Agjencinë Telegrafike Shqiptare rrugëtimin që ka bërë kjo vepër deri në ekspozimin e saj për publikun e gjerë.

“Ky vepër është pjesë e një ekspozite të mbajtur më 2017 në ambientet e turbinës dhe ishte pjesë e një grupi të madh punimesh. Si fillim u mendua si një organizim apo si një pjesë e saj. Më pas institucioni “Harabeli” më ftoi që ta zhvilloja këtë vepër që mu desh 5 vjet që ta përfundoja. Edhe procesi i vendimmarrjes që të vendosej vepra në këtë vend ka qenë proces i gjatë pasi jo vetëm me institucionet por edhe me banorët u konsultua fakti që u vendos këtu”, tha artisti për ATSH-në.

“Në fillim njerëzit dyshuam pasi shihnin vetëm tuba dhe mendonin ndërtim të ri në këtë zonë, por që më pas njerëzit u përfshin dhe e pëlqyen këtë vepër. Sigurisht që ka edhe nga ata qe e kanë kundërshtuar por që shumica që e vlerësoi bëri që kjo vepër të ndodhet këtu”, u shpreh Spahiu për ATSH-në.

Artisti tregon domethënien dhe simbolikën pse ja vendosi ta quante veprën e tij “Zëri”.

“Kur u propozua vendosja e saj në një hapësirë publike u quajt “Zëri”, sepse i flet publikut dhe bëhet pjesë e saj. Është marrëdhënia që krijon vepra me njeriun që marrin frymë dhe jetojnë në këtë hapësirë publike. Unë gjithmonë mundohem që veprat e mia të jenë të dukshme dhe komunikuese. Njerëzit s’duhet ta kuptojnë veprën vetëm nga narracioni por edhe nga perceptimi”, tregon Spahiu për ATSH-në.

Instalacioni i artistit Sadik Spahiu ka ngjallur mjaft interes te qytetarët e grupmoshave të ndryshme, pasi vepra të tilla në kryeqytet i afrojnë më shumë qytetarët me artin si dhe i japin qyteteve një pamje tjetër ku përveç investimeve të reja ndërthuret dhe bukuria e veprave të artistëve shqiptarë. /atsh/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme