‘Videosinteza’ me dizajn të veçantë falënderon vajzat që lartësuan emrin e Kosovës

17 Shkurt, 2019 - 9:20 pm

Platforma e edukimi alternativ “Videosinteza”, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i falënderuar vajzat e Kosovës që po e lartësojnë emrin e shtetit nëpër botë, shkruan KultPlus.

Në 11 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ekipi i Videosintezë-s me mbishkrimin “Faleminderit”, ka ilustruar me dizajn të veçantë këngëtaret Dua Lipën, Era Istrefin dhe Rita Orën, po ashtu dhe kampionen në xhudo Majlinda Kelmendin dhe alpinisten Arineta Mula.

Hana Arapi nga Videosinteza tha për KultPlus se përmes këtyre ilustrimeve kanë dashur që të shprehin mirënjohjen për gratë që po kontribuojnë për shtetin e Kosovës, veçmas përmes fushës së artit dhe sportit.

“Si ekip kemi dashtë me tregu vlerën e ktynë grave per kontributin qe janë duke e bërë  për shtetin tonë. Kontributi për njohjen e shtetit tonë nuk do të thotë gjithmonë me qene vetëm përmes politikes por është duke u bërë edhe më shumë përmes artit, muzikës edhe sportit”, është shprehur Arapi.

Ajo ka treguar për KultPlus se ky është vetëm fillimi i iniciativave të tilla dhe se edhe më tutje do të vazhdojnë që përmes platformës së tyre do të shpalosin fakte javore për kontributin e shqiptarëve në botë.

Videosinteza krijon video të animuara të cilat shtjellojnë tema të ndryshme nga fusha e shkencës, teknologjisë, dhe shkencave sociale. Videot kanë karakter informues dhe vetëdijësues./ KultPlus.com

Të ngjajshme