Vjosa Bujari- Maliqi me shprehje ekspresive shpalosi aktin e njeriut

2 Nëntor, 2018 - 12:34 pm

Gili Hoxhaj

Vjosa Bujari-Maliqi u rikthye pas një kohe shumë të gjatë me ekspozitë personale. Galeria “Monet” mbrëmë u mbush me punimet e Maliqit të punuara përgjatë viteve e që shpalosnin një lloj komunikimi mes njerëzve. Rreth 20 punime ku dominon ngjyra e gjelbër mbrëmë erdhën në dy formate por duke i qëndruar gjithnjë besnik aktit të njeriut.

Piktorja Vjosa Bujari- Maliqi shprehet shumë e kënaqur me këtë rikthim në galerinë “Monet”, ndërsa tregon se qysh kur ka përfunduar studimet, filloi punën në arsim e gjithnjë me ambicien për t’u prezantuar me ekspozita dhe për të mbetur një artiste e pavarur. Ajo tha se atë fillim punën e saj e kishte prezantuar në shoqërinë kulturore-artistike “Agimi”, pasi që ajo vet vjen nga Prizreni, më pas edhe në Prishtinë dhe pastaj ishte shkëputur për shumë kohë nga prezantimi i punës së saj në një ekspozitë personale.

Kuratorja e ekspozitës, Mjellma Goranci- Firzi, kishte qenë edhe një nga inkurajueset më të mëdha të kësaj ekspozite, ndërsa tregon se ka qenë pranë artit të Bujari-Maliqit që nga gjysma e karrierës së saj artistike.

“Së pari vlen të theksohet që Vjosa është një personalitet shumë i veçantë. Ka një shpirt shumë kreativ dhe shumë të sinqertë dhe shumë të pastër që e reflekton në veprat e saja. Vjosa gjithnjë e ka studiuar, e ka reflektuar, komunikimin dhe lëvizjet e njeriut. Dëshpërimin, gëzimin, fuqinë, krenarinë, krejt këto i gjen në aktet dhe kokat e trupave të njerëzve të Vjosa Bujari-Maliqi. Jam shumë e lumtur që Vjosa prej një shkëputjeje aq të madhe i është kthyer artit sot”, u shpreh Goranci- Firzi për KultPlus.

Tutje kuratorja e ekspozitës, Mjellma Goranci- Firzi, u shpreh se kjo ekspozitë paraqet një cikël shumë të gjatë të artit të Bujari-Maliqit.

“Sot në veprat e Vjosa Bujarit shoh ngjyrën që ajo e do më së shumti. Është ngjyra e gjelbër që gjithmonë i ka pëlqyer dhe sot po shihet më shumë se kurrë, gjithashtu e portokallta dhe të tjerat. Gjithmonë më ka bërë përshtypje se sa të vlefshme e ka në jetën e saj atë komunikimin e sinqertë, të pastër, të fuqishëm mes njerëzish. Do të thotë komunikimi direkt mes njerëzish”, tha tutje Goranci-Firzi.

Vjosa Bujari-Maliqi tregoi mbrëmë për KultPlus se në këtë ekspozitë ka sjellë punime qysh prej viteve të mëhershme, që nga koha e studimeve e deri tek punimet e punuara së fundmi. Ajo është edhe profesoreshë e artit e thotë se është pikërisht përditshmëria e komunikimi që e inspirojnë punën e saj.

“Inspirimin e kam prej përditshmërisë sime. Prej kur zgjohem në mëngjes, duke shkuar në punë, puna që e bëj me nxënës që është një pjesë e jetës sime, komunikimet me njerëz. Ato janë inspirimi im, pra përditshmëria ime, komunikimi me njerëz kryesisht. Këtu shihet që është anatomia e njeriut, akti i njeriut. Pra kryesisht e punoj aktin e njeriut, anatominë e njeriut, nëpërmjet së cilës shihet që ka shumë dashuri, mirësi, komunikim mes njerëzve, poezi, dramë. Pra të gjitha këto janë krejt vlerat e njeriut”, u shpreh Maliqi.

Piktori Musa Prelvukaj ishte në mesin e atyre që kishte ardhur për ta shijuar këtë ekspozitë.

Ai tha se ekspozita e Bujari- Maliqit karakterizohet me shprehje ekspresive, ngjyra kontrasti por të harmonizuara, ndërsa paraqiten edhe figura simbolike por me abstraksion të thellë ndërsa mund të hetohet edhe një element barokien.

“Krijimtarinë e Vjosa Bujari- Maliqit e njoh që herët, pasi pata rast të punoj në një institucion me të, gjithmonë kemi diskutuar për çështje të artit. Por këtë që solli sonte, e bëri mirë shumë, mos ta njoh vetëm ndonjë individ por edhe publiku, jo vetëm si figurë por edhe krijuese sepse kurrë s’është vonë. Edhe pse ka një pauzë mendoj që me këtë ekspozitë sado pak e ka mbuluar një pjesë të asaj sepse ekspozita zakonisht punohet jo për një kohë të shkurtër, por janë punime gradualisht të punuara”, u shpreh Prelvukaj për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 nëntor në hapësirën e Galerisë “Monet” në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme